Komanda e mbrojtjes e Danimarkës tha se është “e pranishme” në zonën afër anijes së mallrave kineze, Yi Peng 3, që u ankorua afër brigjeve të Danimarkës. Kjo anije dyshohet se u përfshi në dëmtimin që ndodhi së fundi të kabllove të komunikimit me fibra optike në Detin Baltik.
Dyshimet janë rritur nga kryeqendrat perëndimore që thonë se dëmtimi i dy kabllove kyçë në Detin Baltik me gjasë ishin rezultat i veprimeve të qëllimshme.
Anija kineze, që raportohet se drejtohet nga një oficer detar rus, po lundronte nga porti rus Ust-Luga. Dyshohet se anija ka udhëtuar mbi zonën në Baltik ku gjendeshin kabllot që lidhnin Suedinë dhe Lituaninë.
Qeveritë evropiane dhe Uashingtoni nuk e kanë lidhur drejtpërdrejtë Moskën për këtë dëmtim, por ata e kanë akuzuar Rusinë për orkestrimin e “sulmeve hibride” ndaj infrastrukturës perëndimore për të ndëshkuar shtetet evropiane për ndihmën dhe mbështetjen që i ofrojnë ushtrisë ukrainase, e cila po lufton me forcat pushtuese ruse.
Disa analistë thanë se anija mund të ketë dëmtuar kabllotë kur ka qenë duke u ankoruar.
“Mbrojtja daneze mund të konfirmojë se ne jemi të pranishëm në zonën afër anijes kineze, Yi Peng 3”, tha Komanda e Mbrojtjes e Danimarkës përmes një postimi në X.
Aleatët e Ukrainës në incidentet e kaluara kishte akuzuar Moskën për sabotim, veçmas pasi Rusia nisi pushtimin e Ukrainës në shkurt të vitit 2022.
Autoritetet e shteteve të Baltikut po hetojnë për këputjen e kabllove – kablloja e dytë lidh Finlandën dhe Gjermaninë – pas incidenteve të ngjashme që kanë ndodhur në det në vitet e fundit./REL