Shumë ukrainas e mirëpritën vendimin e Shteteve të Bashkuara për të lejuar forcat e Kievit të sulmojnë brenda territorit rus me raketat me rreze të gjatë veprimi, të furnizuara nga Uashingtoni. Por, siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Anna Chernikova, në rrugët e kryeqytetit, shumë mendojnë se vendimi mund të jetë i pamjaftueshëm dhe i vonuar.
Ukraina nuk e ka konfirmuar ende se raketat me rreze të gjatë veprimi që mori nga Shtetet e Bashkuara goditën objektivat në Rusi, siç pretendon Kremlini.
Në rrugët e Kievit, banorët reaguan ndaj lajmit se administrata e Presidentit Joe Biden kishte hequr kufizimet ndaj përdorimit të Sistemit Raketor Taktik të Ushtrisë, ose ATACMS, në luftën kundër Rusisë.
“Sigurisht që e mbështes këtë vendim. E kemi pritur prej kohësh. Kjo do të na lejojë të kryejmë sulme dhe të shkatërrojmë infrastrukturën ruse, aeroportet, personelin dhe pajisjet ushtarake, që t’i përdorin më pak kundër nesh”, thotë Oleh, banor i Kievit.
“Ne pyesim: pse kaq vonë? Nëse do merrej ky vendim më herët, ndoshta nuk do të ishim në situatën në të cilën ndodhemi tani. Nuk do të dëmtohej infrastruktura energjetike dhe vija e frontit nuk do të ishte këtu ku është tani”, thotë Tetiana banore e Kievit.
Me shtimin e pasigurisë për të ardhmen e mbështetjes nga Uashingtoni, disa mendojnë se negociatat janë të pashmangshme. Ky banor thotë se zhvillimet e fundit mund të ndihmojnë.
“Ndoshta do të ketë një lehtësim. Ndoshta territori në Rusi, Kursk do të mbetet nën kontrollin tonë dhe negociatat do të jenë për territore dhe do të bëhet një shkëmbim”, thotë banorja Halina Kyiv.
Ndjenja e urgjencës për zgjidhjen e konfliktit po rritet ndërsa Rusia përshkallëzon sulmin e saj me ndihmën e trupave të Koresë së Veriut dhe vazhdon të godasë rrjetin energjetik të Ukrainës.
Në fjalimin që shënoi ditën e njëmijtë të agresionit rus, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u kërkoi aleatëve perëndimorë të vazhdojnë trysninë ndaj Rusisë.
“Çdo ditë duhet shfrytëzuar për trysni ndaj Rusisë. Putini nuk do të ndalet vetë. Sa më shumë kohë të ketë, aq më shumë përkeqësohen kushtet”, tha Presidenti ukrainas Volodomyr Zelensky.
Disa analistë thonë se edhe në këtë fazë të luftës, është e rëndësishme të kesh mundësinë për të goditur thellë brenda territorit të Rusisë.
“Mendoj se ky vendim duhej të ishte marrë 1000 ditë më parë kur filloi operacioni në shkallë të gjerë kundër Ukrainës. Nga pikëpamja ushtarake, është absolutisht logjike të shkatërroni infrastrukturën ushtarake të armikut tuaj thellë brenda territorit të tij”, thotë analisti politik Mykhailo Samus.
Zoti Samus dhe analistë të tjerë e shohin lejen e dhënë për përdorimin e raketave amerikane me rreze të gjatë veprimi si një shfaqje të forcës dhe vendosmërisë së Perëndimit kundër agresionit rus.
Ndërsa ukrainasit bëhen gati për një dimër të gjatë, pasiguria vazhdon për të ardhmen dhe vazhdimin e mbështetjes amerikane pasi presidenti i ri amerikan të bëj betimin në janar/VOA