Rrëfen fotografi ukrainas: Jeta në Ukrainë, një betejë e përditshme

Evropë

Rrëfen fotografi ukrainas: Jeta në Ukrainë, një betejë e përditshme

Më: 24 nëntor 2024 Në ora: 21:13
Foto ilustrim

Fotografi ukrainas Evgeniy Maloletka tha se jeta ne Ukrainë është një betejë e përditshme, deri sa më shumë se 1000 ditë vazhdojnë shkatërrimet dhe vuajtjet. Maloletka thekson se, megjithëse ukrainasit jetojnë me frikë çdo ditë, lufta e tyre vazhdon, sepse rezistenca e tyre parandalon shkatërrimin e plotë të vendit.

“Lufta për jetën, të vërtetën dhe të ardhmen nuk ndalet në Ukrainë,” thotë për RTK fotografi ukrainas Evgeniy Maloletka, i njohur për fotografitë e tij që janë bërë simbole të shkatërrimit dhe vuajtjes gjatë luftës.

Maloletka, një fotograf i agjencisë amerikane Associated Press, qëndroi në Beograd për hapjen e një ekspozite që i kushtohet luftës në Ukrainë, ku u prezantuan edhe disa nga veprat e tij.

“Sot, jeta në Ukrainë është një sfidë e përditshme. Sirenat ose alarmet personale ju zgjojnë, dhe gjithmonë kontrolloni lajmet për të parë çfarë ka ndodhur gjatë natës – viktimat, shkatërrimet dhe humbjet”, tha Maloletka.

Ky fotograf ukrainas ishte pjesë e ekipit që dokumentoi tmerret e Mariupolit në filmin fitues të çmimit Oscar “20 ditë në Mariupol”. Në kushte të rrezikshme, ai dhe ekipi i tij dokumentuan sulmet mbi spitale, shkatërrimet dhe varre masive. Filmi dëshmon për bombardime dhe viktima të pafajshme, përfshirë fëmijë.

“E gjithë kjo që po ndodh, të gjitha numrat dhe të dhënat, duken joreale derisa të shkoni në fushë. Kur flet me njerëz që sapo janë sulmuar ose me ushtarë që sapo janë kthyer nga fronti, ose nëse shkon të shohësh si duket fronti, kupton përmasat e tragjedisë”, shpjegon Maloletka.

Ai gjithashtu bëri shumë fotografi gjatë rrethimit të Mariupolit, por njëra u bë simbol i vuajtjes. Foto që tregon një grua shtatzënë të gjakosur në një barelë duke u nxjerrë nga një maternitet i bombarduar. Gjithashtu edhe fotografia e shkatrimit te banesave.  

“Po përpiqeni të grumbulloni të gjitha këto përvoja dhe t'i transferoni ato. Misioni ynë është që këto histori t'i përcjellim përmes fotografive dhe filmave, por edhe atëherë mendojmë se nuk mjafton. Si gazetar, ju jeni vazhdimisht duke menduar - si të sillni një imazh tjetër që do t'u kujtojë njerëzve se lufta nuk ka mbaruar”, thekson ai.

Maloletka është nga qyteti i Berdyansk, afër Mariupol, në rajonin e Zaporizhya. Ai thekson se shumë njerëz nuk mund t’i varrosin të afërmit e tyre me dinjitet ose të gjejnë të zhdukurit. Në Ukrainë, njerëzit përpiqen të jetojnë "normalisht", megjithëse, tha ai, çdo ditë jetojnë me frikën për jetën.

“Edhe pse supermarketet funksionojnë, njerëzit përpiqen të jetojnë, shkollat funksionojnë në strehimore, ne të gjithë jetojmë me pyetjen: kush do të jetë i radhës? Prindërit e mi janë refugjatë dhe vendlindja ime është e okupuar, si shumë të tjerë. Si të jetosh kështu?”, tha ai.

“Nëse ukrainasit nuk do të kishin rezistuar në fillim, Ukraina nuk do të ekzistonte më. Populli ynë po lufton, dhe kjo është arsyeja pse Kievi, Kharkiv dhe Zaporozhye janë ende në këmbë, pavarësisht nga sulmet e përditshme”, shpjegon ai.

Maloletka thekson se fotografët nuk mund ta ndalin luftën, por mund të japin informacion. Sipas tij, nuk duhet të harrohen vuajtjet e njerëzve që jetojnë në paparashikueshmëri dhe tmerret a përditshme.

“Ne si fotografë mund të ofrojmë, të regjistrojmë milisekonda të vërteta që do t'i kujtojnë çmimin e luftës”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat