Shtetet nordike dhe baltike si dhe Polonia thanë të mërkurën se gjatë muajve të ardhshëm do të rrisin mbështetjen për Ukrainën, duke përfshirë industrinë e mbrojtjes dhe investime për të shtimin e municioneve.
"Ne jemi të angazhuar për të forcimin e mekanizmave parandalues si dhe forcimin e mbrojtjes sonë, përfshirë qëndrueshmërinë ndaj sulmeve të drejtpërdrejta dhe hibride si edhe përmes zgjerimit të sanksioneve kundër Rusisë dhe atyre që i mundësojnë asaj agresionin", thuhet në një deklaratë nga udhëheqësit e Danimarkës, Estonisë, Finlandës, Letonisë, Norvegjisë, Polonisë dhe Suedisë.
Udhëheqësit janë mbledhur në Harpsund, në jugperëndim të Stokholmit, për bisedime që përfshijnë marrëdhëniet transatlantike, bashkëpunimin rajonal në fushën e sigurisë dhe një politikë të përbashkët për luftën në Ukrainë.
Zgjedhja e Donald Trumpit për një mandat të dytë presidencial ka ngritur pikëpyetje në lidhje me angazhimin e Shteteve të Bashkuara për të mbështetur Ukrainën në luftën kundër Rusisë dhe për rolin e Uashingtonit në NATO.
Shumë analistë besojnë se Evropa do të duhet të shpenzojë më shumë për mbrojtjen e saj dhe për të forcuar përpjekjet ushtarake të Ukrainës pasi Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara të marrë detyrën në muajin janar.
Vendet nordike dhe baltike, disa prej të cilave janë kufi me Rusinë, janë ndër mbështetësit më të mëdhenj të Ukrainës.
Sipas të dhënave të Instituti Kiel mbi Ndihmën për Ukainën, ndihma nga vendet nordike, baltike dhe Polonia arrin në rreth 24 miliardë euro, ndihma e dytë më e madhe pas asaj të Shteteve të Bashkuara.
“Evropa duhet të marrë një përgjegjësi më të madhe për sigurinë e saj”, tha kryeministri suedez Ulf Kristersson në një deklaratë të ndarë nga ajo e udhëheqësve të tjerë.
"Ky është një parakusht që ne të rrisim bashkëpunimin dhe të vazhdojmë të mbështesim Ukrainën, e cila po lufton si për sigurinë e saj ashtu edhe për tonën, në periudhë afatgjatë", theksoi ai./VOA