Shtetet nordike, ato baltike dhe Polonia paralajmëruan sot rritjen e mbështetjes së tyre për Ukrainën në muajt e ardhshëm.
Liderët e Danimarkës, Estonisë, Finlandës, Letonisë, Norvegjisë, Polonisë e Suedisë u takuan në selinë e qeverisë suedeze në Harpsund, në jugperëndim të Stokholmit, ku diskutuan marrëdhëniet transatlantike, bashkëpunimin rajonal të sigurisë dhe politikën e përbashkët në mes të luftës në Ukrainë.
"Ne synojmë të vazhdojmë të forcojmë mbrojtjen dhe parandalimin, duke përfshirë qëndrueshmërinë ndaj sulmeve konvencionale dhe hibride, dhe të vazhdojmë të zgjerojmë sanksionet kundër Rusisë, si dhe kundër atyre që mundësojnë agresionin rus," thanë liderët në një deklaratë të përbashkët.
Vendet nordike dhe baltike janë ndër më të fortat kur bëhet fjalë për mbështetjen e Ukrainës. Ndihma e vendeve nordike, shteteve baltike dhe Polonisë arrin në rreth 24 miliardë euro, sipas Institutit Kiel për Mbështetjen ndaj Ukrainës. Ato janë menjëherë pas Shteteve të Bashkuara në terma absolutë.
"Evropa duhet të merr përgjegjësi më të madhe për sigurinë e saj. Ky është një parakusht për rritjen e bashkëpunimit tonë dhe për vazhdimin e mbështetjes afatgjatë për Ukrainën, e cila po lufton për sigurinë e saj dhe tonën”, tha kryeministri suedez Ulf Kristersson në një deklaratë të veçantë.