Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka bërë thirrje për më shumë presion ndaj Rusisë, duke thënë se ajo duhet “të ndjejë se çfarë është lufta”.
Në fjalimin e tij, Zelensky tha se sulmet e fundit me rreze të gjatë në objektivat ushtarake ruse kanë qenë efektive.
Megjithatë, ai theksoi se “presioni ndaj Rusisë duhet të rritet në nivele të ndryshme”.
Ai përmendi gjithashtu se ministri i Mbrojtjes Rustem Umerov, aktualisht në një vizitë në Korenë e Jugut, po diskuton shqetësimet për bashkëpunimin e mundshëm të Rusisë me Korenë e Veriut në luftën e saj kundër Ukrainës.
Ndërkohë, bëhet e ditur se administrata Biden po i kërkon Ukrainës të forcojë ushtrinë e saj duke ndryshuar ligjet për të lejuar rekrutimin nga mosha 18 vjeç në vend të 25, shkruan euronews.
Një zyrtar i lartë amerikan, duke folur në mënyrë anonime, tha se Ukraina ka nevojë për më shumë ushtarë për të kundërshtuar ushtrinë e Rusisë ndërsa lufta po i afrohet vitit të tretë.
Zyrtari paralajmëroi gjithashtu se Ukraina nuk është duke rekrutuar apo trajnuar trupa të mjaftueshëm për të zëvendësuar ato të humbura në betejë.
Ndryshe, lufta Rusi-Ukrainë u diskutua gjithashtu në një samit në Suedi të mërkurën, ku morën pjesë liderët e vendeve nordike-baltike dhe Donald Tusk i Polonisë.
Gjatë takimit në Harpsund, kryeministri suedez Ulf Kristersson njoftoi se liderët ishin zotuar të rrisin mbështetjen për Ukrainën, duke përfshirë sigurimin e më shumë municioneve.
“Ne kemi një fqinj në nevojë dhe ne duhet ta ndihmojmë”, tha Kristersson.
Siç raportohet, kryeministri i Polonisë, Donald Tusk propozoi krijimin e një “policie detare” në Detin Baltik për të forcuar sigurinë rajonale, një sugjerim që ai tha se u prit mirë nga liderët e tjerë.