Gjeorgji, vazhdojnë protestat kundër vendimit të qeverisë për ‘ngrirje’ të anëtarësimit në BE

Evropë

Gjeorgji, vazhdojnë protestat kundër vendimit të qeverisë për ‘ngrirje’ të anëtarësimit në BE

Më: 2 dhjetor 2024 Në ora: 16:53
Protetsta kundër vendimit të qeverisë për anëtarësim në BE, Tbilisi, Gjeorgji

Presidentja e Gjeorgjisë, e cila ka dalë kundër qeverisë së saj, u kërkoi sot ndihmë shteteve europiane, për t’u përballuar me atë që ajo e cilësoi si përpjekje të Rusisë për të vënë nën kontroll vendin e saj.

Presidentja Salome Zourabichvili foli në ditën e katërt të shpërthimit të protestave kundër vendimit të partisë në pushtet “Ëndrra Gjeorgjiane” për të pezulluar bisedimet e anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe ngrirjes së ndihmave financiare nga Brukseli deri në vitin 2028.

Kritikët thonë se vendimi konfirmoi largimin nga politika pro-Perëndimore nën ndikimin e Rusisë dhe kthimin drejt orbitës së Moskës, diçka që partia në pushtet e mohon.

“Duam që të na rikthehet fati ynë europian“, tha Presidentja Zourabichvili, e cila ka marrë vetë pjesë në protesta. “Kjo është revolta e një kombi të tërë”, u shpreh ajo për radion France Inter.

Presidentja Zourabichvili, e cila ka rol kryesisht ceremonial, tha se Rusia, në luftë me Ukrainën, po ndjek një "strategji hibride" kundër Gjeorgjisë dhe vendeve të tjera si Moldavia dhe Rumania, kjo e fundit anëtare e NATO-s dhe BE-së.

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov mohoi që Rusia të ketë ndërhyrë në situatën në Gjeorgji.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian kanë ngritur alarmin për atë që e cilësojnë si goditje të demokracisë në Gjeorgji.

Kryeministri Irakli Kobakhidze akuzoi opozitën për atë që e cilësoi “dhunë të koordinuar” me qëllim përmbysjen e rendit kushtetues.

Fishekzjarre dhe gaz lotsjellës

Të dielën në mbrëmje, mijëra protestues u mblodhën sërish në kryeqytetin Tbillisi duke hedhur fishkzjarre ndaj policisë, e cila u kundërpërgjigj me gaz lotsjellës.

“Jam këtu për të mbrojtur të ardhmen europiane dhe demokracinë e vendit”, tha protestuesi Nikoloz Miruashvili.

Disa protestues qëndruan jashtë gjatë gjithë natës, por policia i largoi ata nga ndërtesa e parlamentit.

Ministria e Brendshme e Gjerogjisë tha se gjatë protestës së të dielës ishin lënduar 21 policë, ndërsa që nga nisja e demostratave janë lënduar 113 punonjës të rendit.

Dhjetëra protestues janë plagosur gjithashtu gjatë ditëve të fundit, ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë dënuar atë që e kanë cilësuar “përdorim të tepruar të forcës policore“.

Avokati i Popullit i Gjeorgjisë tha se 124 nga 156 personat e arrestuar në mitingje ishin ankuar se policia kishte përdorur dhunë ndaj tyre, duke e cilësuar "numër shumë shqetësues".

Presidentja e Gjeorgjisë Salome Zourabichvili e cilësoi qeverinë jolegjitime të shtunën dhe tha se nuk do të largohej nga posti kur mandati i saj të përfundojë gjatë këtij muaji.

Presidentja Zourabichvili dhe kritikë të tjerë të qeverisë thonë se zgjedhjet e 26 tetorit, në të cilat partia “Ëndrra Gjeorgjiane” fitoi 54 përqind të votave, u manipuluan dhe se parlamenti që doli prej tyre është i paligjshëm.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka shpallur zgjedhjet të drejta. Kryeministrit Kobakhidze tha të dielën se Presidentja po reagonte emocionalisht pas humbjes së opozitës në zgjedhje dhe se ajo duhet të lërë pallatin presidencial në fund të këtij muaji./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat