Shërbimi ukrainas i sigurisë (SBU) njoftoi të mërkurën se kishte arrestuar një vajzë 16-vjeçare, nën dyshimin se ka ndihmuar Moskën që të përgatisë një sulm ajror kundër rajonit Chernihiv, i cili kufizohet me Rusinë.
E arrestuar në qytetin Chernihiv, kryeqyteti i këtij territori, vajza e re ishte rekrutuar nga inteligjenca ushtarake ruse (GUR) dhe kishte për detyrë të lokalizonte komplekset e mbrojtjes ajrore dhe radarët që mbronin rajonin kundër sulmeve ruse, tha SBU.
Që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës, Kievi dhe Moska kanë njoftuar vazhdimisht se kanë arrestuar bashkatdhetarë të akuzuar për spiunazh për palën tjetër. Por arrestimi i një të dyshuari të mitur është jashtëzakonisht i rrallë në Ukrainë.
Sipas SBU, adoleshentja mori një taksi me të cilën ajo udhëtoi nëpër rajon për të fotografuar fshehurazi disa vende, për të marrë vendndodhjen e tyre dhe ia transmetoi informacionin e saj “eprorit” të saj brenda GUR.
“Shërbimi ushtarak i kundërzbulimit të SBU arrestoi vajzën e re ndërsa ajo po fotografonte një instalim ushtarak”, tha SBU duke specifikuar se kishte sekuestruar një telefon me “prova të aktiviteteve në favor të Rusisë.”