Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka falënderuar Malin e Zi për promovim të paqes, stabilitetit dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor, sikurse edhe për kontributin e tij në misione dhe operacione të NATO-s.
Këtë, Rutte ia tha presidentit malazez, Jakov Milatoviq, në konferencën e sotme të përbashkët në selinë e NATO-s në Bruksel.
“Mali i Zi promovon paqen, stabilitetin dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor. Trupat tuaja shërbejnë në misionin paqeruajtës të NATO-s, KFOR, në Kosovë”.
“Dua të ju falënderoj juve për kontributet e Malit të Zi në sigurinë tonë të përbashkët, dhe për të gjitha përpjekjet tuaja për të rritur bashkëpunimin në Ballkanin Perëndimor”, deklaroi Rutte.
Në fjalën e tij, Sekretari i NATO-s tha se Mali i Zi e ka rritur buxhetin për mbrojtje, duke e çuar në 2% të GDP-së së vendit.
Kjo, tha ai, është qenësore për të mbajtur popujt tonë të sigurt, tani dhe në të ardhmen.
Në ndërkohë, Rutte foli edhe për ndihmën që shtetet anëtare të NATO-s po i japin Ukrainës, duke e përmendur Malin e Zi si njërin nga ta.
“Të gjithë ne duhet të bëjmë më shumë për të ndihmuar Ukrainën. Dhe kjo ishte pjesë e rëndësishme e agjendës së takimit të ministrave tonë të jashtëm dy ditë më parë”, deklaroi shefi i NATO-s.