USAID, program rehabilitimi për gratë ish-ushtarake në Ukrainë

Evropë

USAID, program rehabilitimi për gratë ish-ushtarake në Ukrainë

Më: 4 dhjetor 2024 Në ora: 17:49
Kateryna Kotlyarova

Për shumë ushtarë në vijën e frontit, trauma e luftës mund të jetë po aq e vështirë për t'u përballuar sa edhe vetë lufta. Për t’i ndihmuar, Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillimin Ndërkombëtar, USAID, ka krijuar një program për të mbështetur gratë veterane ukrainase, familjet e personave të zhvendosur brenda vendit dhe të afërmit e ushtarakëve. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Anna Kosstutschenko, kjo është pjesë e një programi të USAID-it për t’i ndihmuar pjesëmarrësit të mbështeten tek aftësitë e tyre.

“Më jep një paqe të jashtëzakonshme…”, thotë ish-ushtarakja ukrainase Kateryna Kotlyarova.

36-vjeçarja Kateryna Kotlyarova kaloi dy vite duke luftuar ushtarët rusë në Ukrainë. Ajo u lirua nga ushtria në fillim të verës, por lufta nuk u ndal. Kur u kthye në shtëpi, ajo vuante nga pagjumësia. Duke kërkuar ndihmë, zonja Kotlyarova iu bashkua një programi rehabilitimi për të ndihmuar për rikthimin e mirëqenies së saj mendore.

“Jam e përqendruar tek ajo që po bëj. Është punë në ekip – dhe kjo është e pabesueshme! Nuk jemi thjesht njerëz të rastësishëm, secila prej këtyre vajzave ndan një përvojë të ngjashme, një rrugë të vështirë dhe ne e kuptojmë njëra-tjetrën në mënyrë perfekte!”, thotë Katerina.

Anëtare e ekipit është edhe motra e saj më e vogël, Olesya. Në vitin 2014, ajo ndoqi shembullin e Katerynës dhe shkoi në Donbas për t'iu bashkuar një batalioni vullnetarësh. Në vitin 2022, ajo u bë pjesë e batalionit të motrës së saj. Ishte Olesya ajo që inkurajoi motrën e saj më të madhe të anëtarësohej në klubin e jahteve dhe tani po ndjek me kënaqësi rikuperimin e Katerynës.

“Ajo fle shumë më mirë tani; pati pagjumësi për një kohë të gjatë... U përpoqëm për një periudhë të gjatë me pilula gjumi, por tani nuk i ka më të nevojshme. Lundrimi me jaht i jep asaj paqe dhe harmoni!”, thotë Olesya.

Kapitene dhe themeluese e programit të rehabilitimit të veteraneve është 43-vjeçarja Viktoriya Pototska, e apasionuar pas jahteve sportive për mbi 10 vite. Ajo shoqëronte bashkëshortin e saj në garat në det, derisa ai iu bashkua forcave të armatosura në vitin 2022.

Në verën e vitit 2024, me mbështetjen e USAID-it, zonja Pototska filloi kurset e jahteve për gratë që janë ndikuar më shumë nga lufta.

“Ata na ndihmuan në realizimin e këtij projekti për rehabilitimin e bashkëshorteve të ushtarakëve, veteranëve, të zhvendosurve. Ne zgjodhëm 16 gra, nga 120 aplikime që na erdhën nga e gjithë Ukraina”, thotë zonja Pototska.

Këtë verë gratë morën pjesë për herë të parë në një garë me varka me vela. Disa, si ish-infermierja 41-vjeçare Iryna Vitiv, burri dhe djali i së cilës janë në vijën e parë të frontit, tani po stërviten për garat ndërkombëtare për vitin e ardhshëm. Lundrimi me jaht i ka dhënë Irynës një qëllim të ri dhe një profesion të ri të mundshëm: instruktore lundrimi.

“Të lundrosh me jaht është si të zotërosh një gjuhë tjetër, është një aftësi krejtësisht e ndryshme që nuk e kisha fare më parë. Por iu futa dhe tani po bëj kursin e kapitenit dhe ëndërroj të marr një licencë kapiteni!”, thotë Iryna.

Në tetor, këto gra morën pjesë në garën “Velat e Fitores” për luftëtarët që janë në fazën e rehabilitimit.

Me 30 anije, aktiviteti vendosi një rekord të ri kombëtar për grumbullimin më të madh të veteranëve të luftës në gara lundrimi në Ukrainë./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat