Francë, Partitë e majta dhe të djathta mocion mosbesimi ndaj qeverisë

Evropë

Francë, Partitë e majta dhe të djathta mocion mosbesimi ndaj qeverisë

Më: 4 dhjetor 2024 Në ora: 20:42
Kryeministri francez, Michel Barnier

PARIS – Partitë e krahut të majtë dhe krahut të djathtë në Francë pritet të bëhen bashkë të mërkurën për të rrëzuar qeverinë e Kryeministrit Michel Barnier përmes një mocioni mosbesimi, që u shkaktua nga mospajtimet mbi buxhetin. Nëse mocioni miratohet, do të jetë hera e parë që një qeveri franceze përmbyset në këtë formë në 60 vitet e fundit.

Presidenti Emmanuel Macron këmbënguli se ai do të përmbushë mandatin e tij deri në vitin 2027 përkundër thirrjeve të shtuara të opozitës për të dhënë dorëheqjen për shkak të trazirave. Megjithatë, Presidentit Macron do t’i duhet të emërojë një kryeministër të ri për herë të dytë, pas humbjes së partisë së tij në zgjedhjet parlamentare të korrikut.

Presidenti Macron, ndërsa po kthehej në Francë nga vizita në Arabinë Saudite, tha se diskutimet rreth dorëheqjes së tij të mundshme janë “politikë iluzionesh”, sipas njoftimeve të shtypit francez.

“Jam këtu ngaqë populli francez më ka votuar dy herë”, deklaroi ai. Po ashtu, ai citohet të jetë shprehur: “Nuk duhet t’i frikësojmë njerëzit me këto gjëra. Kemi një ekonomi të fuqishme”.

Mocioni i mosbesimit erdhi si rrjedhojë e kundërshtimit të ashpër ndaj buxhetit të propozuar nga Kryeministri Barnier.

Dhoma e ulët e parlamentit të Francës është e përçarë dhe asnjë parti nuk ka shumicën. Ajo përbëhet nga tre blloqe kryesore: aleatët e qendrës së Presidentit Macron, nga koalicioni i krahut të majtë, Fronti Popullor dhe nga Bashkimi Kombëtar i së djathtës së skajshme. Të dyja blloqet opozitare, që zakonisht ndeshen me njëra-tjetrën, po bëhen bashkë kundër Kryeministrit Barnier, duke e akuzuar atë se po imponon masa shtërnguese dhe nuk po u përgjigjet nevojave të banorëve.

Kryeministri Barnier, një politikan konservator, u emërua në këtë post në muajin shtator dhe nëse mocioni miratohet, ai do të jetë kryeministri më jetëshkurtë në historinë e Francës moderne.

Në një përpjekje të fundit për të shpëtuar qeverinë e tij, Kryeministri Barnier u bëri thirrje ligjvënësve të veprojnë me “përgjegjësi” dhe të mendojnë për “interesin e vendit”.

“Situata është shumë e vështirë në aspektin ekonomik, shoqëror, buxhetor dhe financiar”, tha ai për televizionin kombëtar TF1 dhe kanalin France 2 të martën mbrëma. “Nëse mocioni i mosbesimit kalon, çdo gjë do të vështirësohet dhe gjithçka do të bëhet edhe më serioze”.

Të mërkurën në mëngjes, drejtuesi i Bashkimit Kombëtar, Jordan Bardella - vullneti i partisë së cilit ishte thelbësor për ta mbajtur zotin Barnier në pushtet – konfirmoi përkrahjen e tij për mocionin, duke e quajtur buxhetin “të mangët dhe të dëmshëm” për popullin francez. Udhëheqësit e partive të krahut të majtë u bënë jehonë kritikave të ngjashme, duke bërë thirrje për rritjen e shpenzimeve sociale.

Dhoma e ulët e parlamentit francez, e njohur si Kuvendi Kombëtar, njoftoi se për miratimin e mocionit duhen të paktën 288 nga 574 votat e parlamentit. E majta dhe e djathta e skajshme kanë më shumë se 330 ligjvënës – edhe pse disa nga ta mund të abstenojnë.

Nëse qeveria e Kryeministrit Barnier bie, Presidenti Macron duhet të emërojë një kryeministër të ri, por përbërja e parlamentit të përçarë nuk ndryshon. Ndërkohë zgjedhjet parlamentare nuk mund të mbahen deri të paktën në muajin korrik, duke krijuar një ngërç të mundshëm për hartuesit e politikave.

Përderisa Franca nuk rrezikon të ketë një mbyllje të qeverisë, siç ndodh në Shtetet e Bashkuara, mungesa e stabilitetit politik ka mundësi të trondisë tregjet financiare. Zoti Barnier paralajmëroi javën e kaluar “për një stuhi të madhe dhe trazira serioze në tregjet financiare” nëse rrëzohet qeveria e tij.

Bashkimi Evropian po i bën trysni Francës që të ulë borxhin e lartë publik. Deficiti buxhetor llogaritet të ketë arritur në 6 për qind të prodhimit të përgjithshëm kombëtar këtë vit dhe analistët thonë se ai mund të arrijë në 7 për qind vitin e ardhshëm nëse nuk bëhen ndryshime drastike.

Mungesa e stabilitetit politik mund të shkaktojë rritjen e normës së interesit në Francë, duke e thelluar edhe më shumë borxhin./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat