Viti 2024 ka sjellë një rritje të jashtëzakonshme të ngjarjeve të breshërit të madh në Evropë.
Sipas European Severe Weather Database (ESWD), numri i rasteve ka kaluar për herë të parë 10,000 raporte, duke arritur në 10,084 deri më tani.
Kjo shifër pritet të rritet edhe më shumë, pasi raportet e mbetura nga sezoni i verës janë ende duke u përpunuar nga ekspertët.
Stuhitë me breshër këtë vit kanë shkaktuar dëme të mëdha në bujqësi, automjete dhe infrastrukturë, veçanërisht në vendet e Evropës Qendrore dhe Jugore si Gjermania, Italia, Polonia dhe Franca. Gurët e breshërit kanë arritur madhësi të pazakonta, deri në përmasa të një topi tenisi, duke krijuar sfida serioze për komunitetet dhe ekonominë lokale.
Një shembull i freskët vjen nga Greme, Ferizaj, Kosovë, ku u raportuan gurë breshëri me madhësi deri në 7 cm në diametër, të krahasueshme me një top tenisi. Fotoja e publikuar më 26 qershor 2024, tregoi përmasat mbresëlënëse të këtij fenomeni, duke nënvizuar rrezikun e lartë që ai paraqet për njerëzit dhe pronat në zonat e prekura.
Sipas ekspertëve të European Severe Storms Laboratory (ESSL), kjo rritje e fenomenit është ndikuar nga ndryshimet klimatike, të cilat po krijojnë kushte më të favorshme për stuhitë e fuqishme dhe të shpeshta në Evropë.
Raporti i plotë vjetor, i cili përmbledh analizat dhe statistikat e këtij sezdfoni rekord, do të publikohet në janar. Ky dokument do të ndihmojë për të kuptuar më mirë trendet dhe ndikimet e motit ekstrem në kontinent.
Më 24 korrik 2023 rreth orës 23:00 të mbrëmjes, breshëri gjigant goditi qytetin e Azzano Decimo, Itali, ku u gjet breshëri rekord me diametër 19 cm. Ky breshër tashmë mbetet afër rekordit botëror të një breshëri nga 23 korriku 2010 në Vivian, Dakota e Jugut, SHBA, me një diametër prej 20.3 cm.