Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, tha të hënën se i dërguari i bllokut për Sirinë do të shkonte në Damask për të biseduar me udhëheqësit e rinj të Sirisë, ndërsa fuqitë perëndimore po intensifikojnë angazhimet pas rrëzimit të Bashar al-Asadit.
Kjo lëvizje nga Brukseli vjen pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe thanë se kishin kontaktuar autoritetet e reja në Damask, të udhëhequra nga grupi rebel, Hayat Tahrir al-Sham (HTS).
Fuqi rajonale dhe ndërkombëtare kanë nisur kontaktet me liderët e rinj në Siri pas rrëzimit të Asadit përmes një ofensivë, duke i dhënë fund pesë dekadave të sundimit të familjes së tij.
“Diplomati ynë kryesor për Sirinë do të shkojë sot në Damask. Do të kryejmë kontaktet atje”, u tha Kallas gazetarëve para një takimi të ministrave të Jashtëm të BE-së.
Vendet e BE-së — si vende të tjera në Perëndim — janë treguar të kujdesshëm në deklaratat ndaj udhëheqjes së re në Damask, duke pasur parasysh që HTS-ja kishte rrënjë në Al-Kaeda dhe është e listuar si një grup terrorist nga një numër qeverish.
BE-ja ndërpreu lidhjet me regjimin e Asadit në Damask gjatë luftës civile të vendit, por ka vazhduar të dërgojë ndihma humanitare për të ndihmuar popullatat lokale.
Kallas tha se ministrat e Jashtëm të BE-së në Bruksel do të diskutojnë “se si të angazhohemi me udhëheqjen e re të Sirisë dhe në çfarë niveli të angazhohemi”.
“Nuk mund ta lëmë një vakum”, tha Kallas, e cila mori detyrën si diplomate kryesore e BE-së këtë muaj.
Aktorët ndërkombëtarë kanë shprehur optimizëm të kujdesshëm pasi autoritetet e reja në Damask janë zotuar të mbrojnë pakicat dhe të formojnë një qeveri gjithëpërfshirëse.
Diplomatët thonë se disa shtete anëtare të BE-së po shtyjnë për të rritur lidhjet me Sirinë pas rrëzimit të Asadit, ndërsa të tjerët janë më skeptikë.
“Për ne, nuk janë vetëm fjalët, por duam të shohim veprime që shkojnë në drejtimin e duhur. Pra, jo vetëm çfarë po thonë, por edhe çfarë po bëjnë”, tha Kallas.
“Mendoj se javët dhe muajt e ardhshëm do të tregojnë nëse gjërat do të shkojnë në drejtimin e duhur. Dhe mendoj se atëherë do të jemi të hapur për të diskutuar hapat e ardhshëm”, shtoi ajo./REL