Njeriu që ndodhet në listën e zezë amerikane, Aleksandar Vulin, ka vënë në shënjestër ambasadorin amerikan në Serbi, Christopher Hill. E shkak u bë pasi Vulinit iu prek Rusia, për të cilën ai është i betuar dhe e do fort. Madje ai e bëri të qartë se as ky brez, e as brezat që vijnë nuk do të jenë kurrë armiq të Rusisë.
Vulin e akuzoi Hillin se ai nuk kërkon që Serbia të jetë mike e SHBA-së, por armik i Rusisë.
Për të shkuar më tej me akuza, Vulin tha se Hill nuk foli kur presidenti serb Aleksandar Vuçiq foli me Presidentin Donald Trump, por ai foli sapo u përmendën sanksionet e NIS.
“Nëse ambasadori Hill është i shqetësuar se Gazprom po përdor një pjesë të fitimeve për konfliktin në Ukrainë, pse nuk u shqetësua gjatë gjithë këtyre viteve, por vetëm tani kur ata nxorën agjentët dhe ndjekësit e tyre në rrugë”, reagoi Vulin në lidhje me deklaratën e Hill-it se rreziku i bashkëpunimit me kompanitë ruse është i njohur prej kohësh.
Më tej ai thotë se “Hill është i bindur se kapitali rus është një horr për shoqërinë dhe ekonominë serbe, por është edhe më i bindur se bombat e NATO-s janë shëruese për atë shoqëri dhe ekonomi”.
“Hill nuk kërkon që Serbia të jetë mike e Amerikës, por ne të jemi armiku i Rusisë. Asnjë brez serbësh nuk ka qenë armik i Rusisë dhe as ky nuk do të jetë”, tha Vulin.