Fytyra të djegura dhe të shpërfytyruara/ Si përpiqen rusët të fshehin vdekjet e ushtarëve të Koresë së Veriut

Evropë

Fytyra të djegura dhe të shpërfytyruara/ Si përpiqen rusët të fshehin vdekjet e ushtarëve të Koresë së Veriut

Më: 17 dhjetor 2024 Në ora: 21:23
Foto ilustrim

Vrasja e gjeneralit rus Igor Kirillov në një operacion të Shërbimit sekret të Ukrainës do të jetë një tjetër pretekst për Moskën për të goditur territorin ukrainas.

Moska tashmë ka premtuar hakmarrje për vrasjen e “gjeneralit kimik” teksa po angazhohet në një “ofensivë intensive” në rajonin e saj perëndimor të Kurskut, i cili u pushtua këtë verë nga trupat ukrainase. Dhe jo vetëm kaq. Ushtria ruse ka pretenduar se ka pushtuar një fshat tjetër në Ukrainën lindore, një ditë pasi presidenti Vladimir Putin tha se trupat e tij ishin në një pozicion të fortë përgjatë vijës së frontit.

Të paktën 50 ushtarë të Koresë së Veriut vdiqën në betejë

Ushtarët e Koresë së Veriut janë përfshirë në operacione ushtarake, sipas asaj që u njoftua nga komandanti i përgjithshëm i Ukrainës, Oleksandr Syrsky. “Për tre ditë me radhë, armiku ka kryer operacione sulmuese intensive në rajonin e Kursk, duke përdorur në mënyrë aktive njësitë e ushtrisë së Koresë së Veriut”, tha Syrsky në një fjalim para zyrtarëve lokalë. Në rajonin rus të pushtuar nga Ukraina, trupat ukrainase vranë 50 ushtarë të Koresë së Veriut dhe plagosën 47 të tjerë në tre ditë luftime.

“Ushtarët e Regjimentit të 8-të të Forcave të Operacioneve Speciale të Ukrainës pritën ‘ngrohtësisht’ trupat e Koresë së Veriut në rajonin Kursk të Rusisë. Gjatë tre ditëve të fundit, trupat SOF kanë vrarë 50 ushtarë armiq dhe kanë plagosur 47 të tjerë”, thuhet në një mesazh të publikuar në Telegrami. Agjencia e inteligjencës ushtarake e Ukrainës kishte raportuar më parë se 30 ushtarë të Koresë së Veriut ishin vrarë ose plagosur gjatë sulmeve të 14 dhe 15 dhjetorit, por nuk dhanë prova. Është hera e parë që jepen të dhëna në lidhje me fatin e të paktën 11000 ushtarëve të Koresë së Veriut, të cilët vlerësohet se po luftojnë përkrah ushtrisë ruse kundër Ukrainës.

Mund të ketë shumë më tepër të vdekur mes ushtarëve të Koresë së Veriut, por identifikimi i tyre pengohet nga trupat e Kremlinit. Sipas një videoje të publikuar në mediat sociale nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, ushtarët rusë në Kursk djegin dhe prishin fytyrat e ushtarëve të Koresë së Veriut që vdiqën në betejë në një përpjekje për të fshehur identitetin e tyre, si dhe humbjet e ushtrisë së Phenianit.

Përshkallëzimi i luftimeve midis forcave ukrainase dhe ruse i paraprin kthimit në Shtëpinë e Bardhë të presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, i cili ka premtuar t’i japë fund konfliktit shpejt. Vetëm dje, Trump tha se Ukraina duhet të jetë e gatshme të bëjë një marrëveshje me Rusinë për t’i dhënë fund luftës që ka zgjatur për gati tre vjet. Pas ftesës së Trump për presidentin ukrainas, Zelensky iu drejtua aleatëve të tij perëndimorë duke u kërkuar atyre që “të forcojnë urgjentisht Ukrainën në fushën e betejës” dhe të ndihmojnë forcat e Kievit të përballen me kundërofensivë të re të dhunshme ruse në rajonin e Kurskut.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat