Rusia zgjeron përkufizimin e tradhtisë së lartë

Evropë

Rusia zgjeron përkufizimin e tradhtisë së lartë

Më: 18 dhjetor 2024 Në ora: 06:10
Foto nga vendi i ngjarjes

MOSKË - Ligjvënësit rusë miratuan të martën një projekt-ligj që zgjeroi përkufizimin e tradhtisë së lartë, pjesë e përpjekjeve të autoriteteve për të forcuar kontrollin, ndërsa luftimet në Ukrainë po mbushin tre vite.

Amendamentet e miratuara nga Duma, dhoma e ulët e parlamentit rus, zgjerojnë përkufizimin e tradhtisë së lartë, duke përfshirë lidhjet me çfarëdo organizate që është e përfshirë në "aktivitete kundër sigurisë së Federatës Ruse".

Legjislacioni aktual kishte një interpretim më të ngushtë të "kalimit në anën e armikut", duke e përcaktuar atë si bashkim me forcat e armatosura të armikut.

Të dënuarit për tradhti të lartë mund të dënohen me burgim të përjetshëm.

"Në situatën kur ushtarët tanë rrezikojnë jetën e tyre në betejën për sovranitetin e Rusisë, nuk ka organizata ‘neutrale’ apo ‘paqësore’ nga ana e armikut", tha Vasily Piskarev, kryetar i komisionit të çështjeve të sigurisë të Dumës dhe një nga autorët e projektligjit. “Nuk mund të lejojmë askënd të punojë për armikun në territorin tonë”.

Aktivistët për të drejtat e njeriut kanë paralajmëruar se formulimi i paqartë i projekt-ligjit mund të përdoret për të goditur këdo që ka lidhje me ndonjë organizatë ukrainase dhe mund të interpretohet më gjerësisht për të ndëshkuar edhe ata që kanë ndonjë kontakt me organizata apo kompani perëndimore.

Përkufizimi ligjor i tradhtisë tashmë është zgjeruar për të përfshirë ofrimin e "ndihmës", së përcaktuar në mënyrë të paqartë, për vendet ose organizatat e huaja.

Amendamentet e propozuara, të cilat duhet të miratohen edhe nga dhoma e lartë e parlamentit dhe të nënshkruhen nga Presidenti rus Vladimir Putin për t'u bërë ligj, parashikojnë gjithashtu dënimin me deri në 15 vite burg për të huajt dhe personat pa shtetësi që akuzohen për "ndihmë për aktivitetet e armikut kundër sigurisë së Federatës Ruse".

Proceset për tradhti dhe spiunazh janë shtuar së tepërmi pasi Presidenti Putin dërgoi forcat ushtarake në Ukrainë në shkurt të vitit 2022. Paditë e tilla janë ngritur ndaj një game të gjerë të dyshuarish, që nga kritikët e Kremlinit dhe deri tek gazetarët e pavarur dhe shkencëtarët, duke tërhequr vëmendjen e grupeve të të drejtave të njeriut./VOA

commentKomento
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat