Rusia njofton arrestimin e një të dyshuari për vrasjen e gjeneralit të lartë në Moskë

Evropë

Rusia njofton arrestimin e një të dyshuari për vrasjen e gjeneralit të lartë në Moskë

Më: 18 dhjetor 2024 Në ora: 16:50
Foto ilustrim

Shërbimi rus i sigurisë njoftoi të mërkurën arrestimin e një të dyshuari për vrasjen e një gjenerali të lartë në Moskë. Rusia tha se i arrestuari ishte shtetas uzbek i rekrutuar nga zbulimi ukrainas.

Gjenerali Igor Kirillov u vra të martën nga shpërthimi i një bombe të fshehur në një motor skuter pranë pallatit ku banonte në Moskë, një ditë pasi shërbimi ukrainas i sigurisë ngriti akuza penale ndaj tij. Shpërthimi i mori jetën edhe ndihmësit të tij. Një zyrtar ukrainas tha se shërbimi i sigurisë ishte autor i sulmit.

Shërbimi Federal i Sigurisë i Rusisë, shkurtimisht FSB, nuk ofroi të dhëna mbi emrin e të dyshuarit, por tha se ai kishte lindur në vitin 1995. Sipas një deklarate nga FSB-ja ruse, i arrestuari kishte pohuar rekrutimin nga shërbimet speciale ukrainase. Agjencia e lajmeve Associated Press nuk mund të konfirmojë se në çfarë rrethanash mund të ketë qenë i dyshuari gjatë marrjes në pyetje nga shërbimet ruse të sigurisë.

FSB-ja tha se të dyshuarit i ishte premtuar një shpërblim prej 100,000 dollarësh dhe vendosja në një shtetet të BE-së në shkëmbim të vrasjes së Kirillovit.

Shërbimi Federal i Sigurisë tha se i dyshuari zbatoi udhëzimet e marra nga Ukraina duke udhëtuar drejt Moskës, ku u pajis me një mjet shpërthyes artizan. Ai e vendosi mjetin shpërthyes në një motor elektrik, skuter, dhe e parkoi atë në hyrje të pallatit ku banonte ushtaraku i lartë, Kirillov.

Më pas, i dyshuari mori një makinë me qira dhe vendosi në të një kamera duke transmetuar drejtpërdrejt pamje nga skena e objektivit për porositësit në qytetin Dnipro të Ukrainës.

Ndërsa Kirillovi u pa tek dilte nga pallati, i dyshuari aktivizoi bombën. FSB-ja tha se i dyshuari përballet me një dënim që mund të shkojë deri në burgim të përjetshëm.

I dyshuari u arrestua në një fshat të rajonit të Moskës, sipas zyrtares së Ministrisë së Punëve të Brendshme, Irina Volk, njoftoi agjencia shtetërore ruse e lajmeve, TASS.

54-vjeçari Kirillov ishte shef i forcave bërthamore, biologjike dhe kimike të ushtrisë ruse dhe ishte nën sanksione nga disa vende, përfshirë Britaninë e Madhe dhe Kanadanë, për rolin e tij në agresionin e Rusisë ndaj Ukrainës.

Shërbimi i Sigurisë i Ukrainës, SBU, hapi të hënën hetime penale kundër tij, nën akuzat për urdhërimin e përdorimit të armëve kimike të ndaluara. Rusia ka mohuar përdorimin e ndonjë arme kimike në Ukrainë dhe e ka akuzuar Kievin për përdorimin e agjentëve toksikë në luftime.

Në këtë post që nga viti 2017, zoti Kirillov ishte ndër figurat më të larta që zhvilloi disa konferenca shtypi ku e akuzonte Kievin për përdorimin e agjentëve toksikë dhe planifikimet për sulme me substanca radioaktive, pretendime që Ukraina dhe aleatët e saj perëndimorë i hodhën poshtë si propagandë.

Një zyrtar i SBU-së, që foli në kushte anonime, tha se agjencia e tij është përgjegjëse për atentatin. Zyrtari ukrainas e cilësoi ushtarakun rus Kirillov si “një kriminel lufte dhe një objektiv krejtësisht legjitim”. Zyrtari në fjalë ofroi pamjet filmike të shpërthimit. Agjencia më e lartë ruse e hetimeve tha se po e shqyrton rastin si terrorizëm ndërsa zyrtarët në Moskë janë zotuar se do ta ndëshkojnë Ukrainën. Kremlini tha të mërkurën se ishte “e qartë” se Ukraina qëndronte pas vrasjes së zotit Kirillov. Zëdhënësi Dmitry Peskov tha se Kievi “nuk i shmang metodat terroriste”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat