Udhëheqësit e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor diskutojnë mbi integrimin e rajonit

Evropë

Udhëheqësit e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor diskutojnë mbi integrimin e rajonit

Më: 18 dhjetor 2024 Në ora: 17:32
Foto ilustrim

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian po takohen të mërkurën me udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor për të diskutuar mbi zgjerimin dhe posaçërisht mbi Planin e Rritjes ekonomike për rajonin që aspiron integrimin në bllok. Në takimin e nivelit të lartë pritet të diskutohen edhe çështje si agjenda e gjelbër, lufta kundër kërcënimeve hibride, kibernetike dhe migracioni si dhe fusha të tjera si politika e jashtme e përbashkët.

Aktualisht vetëm Serbia nuk është harmonizuar me politikën e Jashtme të Bashkimit Evropian duke refuzuar t’u bashkohet sanksioneve perëndimore ndaj Rusisë për shkak të agresionit të saj në Ukrainë.

Zyrtarë të Bashkimit Evropian në disa raste kanë theksuar se integrimi i Ballkanit Perëndimor në strukturat e bllokut është shndërruar në përparësi veçanërisht pas këtij agresioni të Rusisë.

Kosova mbetet e fundit në rajon në proceset integruese ndërsa përparimi i saj në këtë drejtim, sikurse edhe i Serbisë, është i lidhur ngushtë me zbatimin e marrëveshjes së arritur vitin e kaluar për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre. Zbatimi i saj ka ngecur dhe të dyja palët kanë pasur marrëdhënie të tensionuara.

I dërguari i posaçëm evropian, Miroslav Lajçak, tha të mërkurën se integrimi i Kosovës dhe Serbisë në Bashkimin Evropian nuk mund të shihet veçmas nga procesi i normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet tyre.

Zoti Lajçak i cili të martën ndërmjetësoi një takim të kryenegociatorëve të të dyja vendeve tha se në përputhje me kërkesat nga përfundimet mbi procesin e zgjerimit që u miratuan të martën nga ministrat e vendeve të bllokut, është diskutuar mbi “shtensionimin, përgjegjësinë për sulmet e vitit 2023 në veri, riintegrimin e serbëve të Kosovës, themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe njohjen e dokumenteve dhe simboleve të Kosovës”.

Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç, u pajtuan të martën për zbatimin e deklaratës mbi personat e zhdukur, që ishte pjesë e marrëveshjes së arritur në Bruksel dhe në Ohër.

Zoti Lajçak e vlerësoi këtë “një hap të rëndësishëm që përfundimisht do të sjellë një përgjigje” për familjet.

Ministrat e Bashkimit Evropian në një tekst me përfundimet mbi procesin e zgjerimit që e miratuan të martën u bënë thirrje Kosovës dhe Serbisë që “pa vonesa dhe pa parakushte të zbatojnë marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve”, ndërsa shprehën shqetësimin për “situatën në veri të Kosovës”.

Në muajin nëntor të këtij viti një shpërthim në komunën veriore të banuar me shumicë serbe Zubin Potok, shkaktoi dëme të konsiderueshme në zinxhirin e furnizimit me ujë dhe energji elektrike në vend. Kosova akuzon Serbinë se qëndron prapa kësaj ngjarjeje, por Beogradi mohon përfshirjen në sulmin që u dënua ashpër edhe nga diplomacia ndërkombëtare, e cila kërkon siç thuhet, një hetim të thellë dhe të paanshëm.

Shefi i agjencisë së zbulimit në Kosovës, Petrit Ajeti, raportoi mbi këtë ngjarje të mërkurën në një takim me dyer të mbyllura para komisionit parlamentar për mbikëqyrjen e këtij institucioni.

“Në bazë të asaj se çfarë u tha nga drejtori i AKI-së në këtë takim, prapa këtij sulmi qëndron (Milan) Radoiçiç i mbështetur nga shteti serb”, tha kryetarja e këtij komisioni, Ganimete Musliu.

Milan Radoiçiç, ish nënkryetar i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve të Kosovës e cila është themeluar dhe mbështetet nga Beogradi mori përsipër përgjegjësinë për sulmin e 24 shtatorit të vitit të kaluar ndaj policisë së Kosovës në veri, në të cilin u vra një oficer policie.

Kosova kërkon dorëzimin e tij, ndërsa diplomacia perëndimore i kërkon Serbisë vënien e tij para drejtësisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat