Qeveria e Sllovenisë vendosi sot të vazhdojë kontrollet në kufijtë e brendshëm të Shengenit me Kroacinë dhe Hungarinë deri më 21 qershor 2025, pasi zgjatja e mëparshme skadon më 21 dhjetor.
Qeveria ka vendosur të zgjerojë kontrollet kufitare për shkak të kërcënimit të shtuar të terrorizmit, raporton agjencia e lajmeve sllovene STA.
Në nëntor, qeveria njoftoi se policia do të bëjë vëzhgimin në pikat kufitare në një mënyrë që të ketë sa më pak ndikim në qarkullimin e pasagjerëve, mjedisin dhe ekonominë dhe veçanërisht në jetën e popullatës përgjatë kufijve.
Kontrollet në kufijtë e brendshëm të BE-së po zbatohen edhe nga Gjermania, Danimarka, Franca, Italia, Norvegjia dhe Suedia, ndërsa Holanda njoftoi më parë se do të vendosë kontrolle kufitare me Belgjikën dhe Gjermaninë nga 9 dhjetori.