Deputeti Vakhtang Golandzia është qëlluar për vdekje në Kuvendin e rajonit separatist gjeorgjian të mbështetur nga Rusia, Abkhazi, raportoi të enjten agjencia zyrtare e lajmeve e këtij rajoni.
Agjencia shtetërore “Apsnypress” e citoi Ministrinë e Shëndetësisë të ketë thënë se deputeti Vakhtang Golandzia kishte vdekur nga plagët e pësuara gjatë të shtënave në ndërtesën e Kuvendit. Një deputet tjetër është plagosur, raporton “Reuters”.
Agjencia “Apsypress” nuk raportoi menjëherë nëse ndonjë i dyshuar është arrestuar ose cili mund të jetë motivi i sulmit.
Abkhazia u nda nga kontrolli i Gjeorgjisë gjatë një lufte pas shembjes së Bashkimit Sovjetik në vitet e nëntëdhjeta, kur qindra mijëra gjeorgjianë ishin zhvendosur.
Rusia për një kohë të gjatë i ka mbështetur Abkhazinë dhe Osetinë e Jugut dhe i njohu ato si shtete të pavarura pas fitores në një luftë 5-ditore me Gjeorgjinë më 2008.
Abkhazia u fut në krizë muajin e kaluar, kur disa protestues përdorën forcë në ndërtesën e Kuvendit për të kundërshtuar një marrëveshje investimesh me Rusinë, duke e detyruar presidentin Aslan Bzhania që të jepte dorëheqje. Më herët këtë muaj, deputetët votuan kundër ratifikimit të marrëveshjes.