Si pasojë një sulmi rus me raketë balistike në Kiev të premten në mëngjes, së paku një person u vra dhe 9 të tjerë u plagosën, njoftuan zyrtarët ukrainas. Moska tha sa se goditja erdhi në përgjigje të sulmeve të Ukrainës në tokën ruse me raketa të prodhimit amerikan.
Së paku tre shpërthime të forta u dëgjuan në Kiev, përpara agimit.
Ukraina njoftoi se forcat e saj ajrore interceptuan pesë raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi Iskander që u lëshuan në drejtim të qytetit. Si pasojë e sulmit mbetën pa ngrohje 630 ndërtesa banimi , 16 objekte mjekësore dhe 30 shkolla dhe kopshte, njoftoi bashkia e qytetit
Ministria ruse e Mbrojtjes tha se sulmi ishte përgjigje ndaj sulmeve me raketa nga Ukraina në rajonin kufitar rus Rostov dy ditë më parë. Sipas kësaj ministrie, gjatë sulmit u përdorën 6 raketa amerikane me rreze më të gjatë veprimi ATACMS dhe 4 raketa të prodhimit britanik Storm Shadow.
Ukraina pretendoi të mërkurën se kishte patur si objektiv rafinerinë e naftës në Rostov, në kuadër të fushatës për të goditur infrastrukturën ruse që mbështet luftën Moskës.
Përdorimi i armatimeve të furnizuara nga Perëndimi për të sulmuar Rusinë ka zemëruar Kremlinin. Ukraina lëshoi për herë të parë në thellësi të terrorit rus raketa me rreze të gjatë veprimi të dërguara nga Shtetet e Bashkuara në 19 nëntor, pasi Uashingtoni hoqi kufizimet për përdorimin e tyre.
Akti nxiti Rusinë të përdorte për herë të parë raketën e re hipersonike Oreshnik. Presidenti Vladimir Putin sugjeroi se raketa mund të përdoret për të vënë me shënjestër ndërtesat qeveritare në Kiev, megjithëse nuk ka pasur njoftime për rast tjetër të përdorimit të kësaj rakete./voa