Gjeorgjia dekoron zyrtarët e sanksionuar nga Perëndimi për shtypjen e protestave

Evropë

Gjeorgjia dekoron zyrtarët e sanksionuar nga Perëndimi për shtypjen e protestave

Më: 20 dhjetor 2024 Në ora: 17:30
Protesta kundër qeverisë para parlamentit të Gjeorgjisë në kryeqytetin Tbilisi, më 15 dhjetor, 2024/AFP

Pesë zyrtarë të Ministrisë së Brendshme të Gjeorgjisë, ndaj të cilëve Perëndimi vendosi sanksione për shkak të rolit të tyre në shtypjen e dhunshme të protestave pro-evropiane, do të dekorohen me nderimet më të larta shtetërore, tha të premten Kryeministri Irakli Kobakhidze.

Gjatë tre javëve të fundit, gjeorgjianët protestuan çdo ditë si reagim ndaj njoftimit të qeverisë se po i ndërpriste bisedimet për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian – një synim kombëtar afatgjatë dhe i përkrahur gjerësisht – deri në vitin 2028.

Zyrtarët që do të dekorohen përfshijnë Ministrin e Brendshëm Vakhtang Gomelauri dhe krerët e Departamentit për Operacione të Posaçme të ministrisë, që akuzohen se kanë orkestruar rrahjet e politikanëve të opozitës dhe gazetarëve. Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe vendosën sanksione ndaj tyre të enjten.

Ministri Gomelauri, ish truprojë e ish kryeministrit miliarder Bidzina Ivanishvili, i cili konsiderohet si udhëheqësi kryesor në Gjeorgji, gjithashtu u ngrit në detyrë të premten në postin e zëvendëskryeministrit.

Policia përdori pompa uji dhe gaz lotsjellës kundër protestuesve. Qeveria e Gjeorgjisë i akuzoi protestuesit se po përpiqeshin të sajonin një revolucion dhe thotë se mbi 150 pjesëtarë të policisë janë lënduar në përleshjet me protestuesit, të cilët hodhën fishekzjarrë në drejtimin e tyre.

Gjeorgjia konsiderohej si njëra prej shteteve më demokratike dhe më pro-perëndimore të vendeve që dolën nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik, por kritikët thonë se ky vend është bërë gjithnjë e më autoritar dhe se gjatë viteve të fundit ka një orientim pro-rus.

Kryeministri Kobakhidze u tha gazetarëve se qeveria do të kompensojë gjithë zyrtarët që kanë pësuar humbje financiare për shkak të “vendimit të padrejtë” të sanksioneve të Perëndimit.

Ai tha se zyrtarët po shpërblehen për “veprimet e ndershme që u ndërmorën nga përfaqësuesit e Ministrisë së Punëve të Brendshme”. Gjithsej 11 zyrtarë të lartë u emëruan për Medaljen e Nderit, njëra prej dekoratave më të larta për civilët në Gjeorgji./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat