​25-vjeçarja vret “kipcin” në Gjermani, trupi i pajetë u gjet nga prindërit e vrasëses

Evropë

​25-vjeçarja vret “kipcin” në Gjermani, trupi i pajetë u gjet nga prindërit e vrasëses

Më: 20 dhjetor 2024 Në ora: 21:13
Foto ilustrim

Një 25-vjeçare dhe ndihmësi i saj 26-vjeçar u dënuan me burg të përjetshëm të enjten nga gjykata në Ingolstadt të Gjermanisë, për vrasjen e një “kipci” në rastin që u bë i njohur me këtë emër.

Shahraban K., një grua me origjinë irako-gjermane, u përpoq të falsifikonte vdekjen e saj për t'i shpëtuar konflikteve familjare dhe për të realizuar planin, ajo gjeti një 23-vjeçare që ngjante fizikisht me të përmes rrjeteve sociale.

Pas organizimit të një takimi, Shahraban K. dhe ndihmësi i saj vranë viktimën, Khadidja O., duke u përpjekur ta kalonin trupin e saj si të tyren.

Për 11 muaj sa zgjati procesi gjyqësor u mbajtën më shumë se 50 seanca, dhe gjykata e karakterizoi krimin si të rëndë.

Sipas prokurorisë, viktima është kontaktuar në gusht 2022 përmes një rrjeti social me pretekstin e trajtimit të bukurisë falas. Pastaj Shahraban K. dhe Sheqir K. e çuan atë në takimin e rremë të rregulluar. Pasi e morën, autorët e çuan viktimën në një zonë të pyllëzuar ku e goditën 56 herë me thikë.

Më pas ata e lanë trupin e viktimës në veturën e Shahraban, ku prindërit e saj e gjetën dhe menduan se ishte vajza e tyre për shkak të ngjashmërisë fizike.

Hetimet e autoriteteve gjermane ndërkohë zbuluan identitetin e vërtetë të personit të vrarë.

Shahraban K. vjen nga komuniteti Yazidi në Irakun verior dhe motivi për të falsifikuar vdekjen e saj mund të jetë prishja e martesës së saj.

Përveç vrasjes, ajo është dënuar edhe për tentativë për vrasje. Gjykata zbuloi se ajo kishte punësuar më parë një vrasës me pagesë për të vrarë kunatin e saj, por ky krim në fund nuk u krye.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat