Një automjet goditi turmën e njerëzve të mbledhur në një treg Krishtlindjeje në qytetin lindor gjerman, Madgeburg, njoftuan mediat vendase duke cituar një zyrtar qeveritar.
Agjencia Reuters, duke iu referuar televizionit gjerman MDR, njoftoi për të paktën një të vdekur dhe disa të tjerë të lënduar.
Kancelari gjerman Olaf Scholz shprehu shqetësimin për incidentin në Magdeburg, duke thënë se “njoftimet nga Magdeburg sugjerojnë se bëhet fjalë për diçka të keqe”.
“Lutjet e mia janë me viktimat dhe familjet e tyre”, shkroi ai në platformën X.
Zëdhënësi i qeverisë rajonale Matthias Schuppe dhe zëdhënësi i bashkisë Michael Reif thanë se dyshojnë se bëhej fjalë për një sulm.
Magdeburgu, qytet në perëndim të Berlinit, është kryeqyteti i rajonit Saxony-Anhalt, me rreth 240,000 banorë.
Zëdhënësi Reif tha se bëhet fjalë për “një numër të plagosurish” por nuk dha ndonjë shifër të saktë, sipas agjencisë së lajmeve Associated Press.
“Pamjet janë të tmerrshme”, tha ai. “Sipas informacionit që kam, një makinë është përplasur me njerëzit që po vizitonin tregun e Krishtlindjes, por ende nuk mund të them nga cili drejtim apo sa larg”.
Në videoregjistrimet nga vendi i ngjarjes shihet një pjesë e izoluar e tregut, me mbeturina nëpër tokë.
“Është një ngjarje e tmerrshme, sidomos tani disa ditë para Krishtlindjes”, deklaroi Guvernatori i rajonit Saxony-Anhalt, Reiner Haseloff. Ai i tha agjencisë gjermane të lajmeve dpa se ende nuk mund të ofronte informacion mbi viktimat dhe të dyshuarit prapa incidentit.
Shoferi i dyshuar i automjetit është arrestuar, sipas MDR-së.
Shumë pjesëtarë të policisë dhe emergjencave ishin në vendin e ngjarjes. Menaxheri i tregut u tha vizitorëve të largohen nga qendra e qytetit.
Dëshmitarët i thanë televizionit gjerman se makina u fut drejt në turmën e njerëzve në treg, në drejtim të bashkisë.
Sulmi i dyshuar vjen një ditë pas përvjetorit të tetë të sulmit ndaj një tregu Krishtlindjeje në Berlin. Më 19 dhjetor të vitit 2016, një ekstremist islamist e përplasi kamionin e tij me turmën e vizitorëve të tregut, duke shkaktuar vdekjen e 13 personave dhe plagosjen e dhjetëra të tjerëve. Sulmuesi u vra disa ditë më vonë gjatë një shkëmbimi zjarri në Itali.
Ministrja e Brendshme e Gjermanisë, Nancy Faeser deklaroi muajin e kaluar se nuk ka shenja konkrete se ka rrezik ndaj tregjeve festive këtë vit, por bëri thirrje për vigjilencë të shtuar./VOA