Çka dimë këtë mëngjes për tragjedinë në Magdeburg të Gjermanisë?

Evropë

Çka dimë këtë mëngjes për tragjedinë në Magdeburg të Gjermanisë?

Më: 21 dhjetor 2024 Në ora: 08:58
Foto nga vendi i ngjarjes

Të paktën dy persona, përfshirë një fëmijë të vogël, kanë humbur jetën pasi një veturë me shpejtësi të madhe ka shkelur njerëzit e pranishëm në një treg të Krishtlindjeve në Magdeburg, Gjermani.

Policia ka arrestuar një burrë 50-vjeçar, i cili u tha se ishte mjek nga Arabia Saudite dhe kishte ardhur në shtetin gjerman në vitin 2006.

Tragjedia ndodhi në kryeqytetin e landit Saksoni-Anhalt pak pas orës 19:00, dhe pamje të paverifikuara duket se tregojnë një veturë të zezë që përplaset me njerëzit në treg, shkruan skynews.

Kryeministri i landit, Reiner Haseloff, tha se 68 persona janë plagosur, nga të cilët 15 janë në gjendje të rëndë.

Mesazhe mbështetjeje dhe ngushëllimi kanë ardhur nga mbarë bota pas sulmit, duke përfshirë edhe Kosovën.

Institucionet kulturore në Magdeburg, si teatrot dhe muzetë, do të mbyllen për disa ditë ndërsa qyteti është në zi.

Shërbimet emergjente kanë vazhduar të punojnë gjatë gjithë natës dhe policia e armatosur ka qëndruar në vendin e ngjarjes që është rrethuar me kordona.

Pavarësisht spekulimeve dhe raporteve të huaja mbi identitetin specifik të të dyshuarit, deri më tani asgjë nuk është konfirmuar zyrtarisht.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz pritet të vizitojë sot tregun e Krishtlindjeve në Magdeburg me ministren e Brendshme, Nancy Faeser.

Ndryshe, Magdeburg, në perëndim të Berlinit, është kryeqyteti i provincës së Saksisë-Anhalt dhe ka 240 mijë banorë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat