Shkon në pesë numri i të vdekurve nga pasojat e sulmit në tregun e Krishtlindjeve në Gjermani
Numri i të vdekurve nga pasojat e sulmit në një treg Krishtlindjesh në qytetin gjerman të Magdeburgut është rritur në pesë, tha të shtunën guvernatori i shtetit.
Guvernatori i shtetit të Saksoni-Anhaltit, Reiner Haseloff tha gjithashtu se më shumë se 200 persona gjithsej janë plagosur, kur një mjek saudit përplasi qëllimisht makinën në treg të premten në mbrëmje.
Autoritetet arrestuan një 50-vjeçar në vendin e sulmit të premten në mbrëmje. Ai ka jetuar në Gjermani për gati dy dekada, duke ushtruar profesionin e mjekut në Bernburg, rreth 40 kilometra në jug të Magdeburgut. thanë zyrtarët.
Disa media gjermane e identifikuan të arrestuarin si Taleb A., duke mos publikuar mbiemrin e tij në përputhje me ligjet e privatësisë dhe raportuan se ai ishte specialist në psikiatri dhe psikoterapi.
Nuk ka ende një përgjigje se çfarë e nxiti atë të përplaste makinën mbi turmën në treg.
Duke e përshkruar veten si një ish-mysliman, i dyshuari shpërndante dhjetëra postime në rrjetin X çdo ditë duke u përqendruar në temat anti islame, duke kritikuar fenë dhe duke uruar myslimanët që braktisën besimin.
Ai gjithashtu akuzoi autoritetet gjermane se nuk kanë bërë mjaftueshëm për të luftuar atë që ai tha se ishte "islamizmi i Evropës". Disa e përshkruan atë si një aktivist që ndihmoi gratë saudite të largoheshin nga atdheu i tyre. Ai ka shprehur gjithashtu mbështetje për partinë e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD).
Kohët e fundit, ai dukej i përqendruar në teorinë e tij se autoritetet gjermane kanë vënë në shënjestër azilkërkuesit sauditë.
Eksperti i shquar gjerman i çështjeve të terrorizmit Peter Neumann tha se ai ende nuk kishte hasur në një të dyshuar për një akt të dhunës masive me një profil të tillë.
Kancelari gjerman Olaf Scholz qëndroi të shtunën në Magdeburg për të shprehur mbështetjen e tij për viktimat e sulmit.
"Çfarë akti i tmerrshëm është të plagosësh dhe vrasësh kaq shumë njerëz me një brutalitet të tillë", tha kancelari Scholz. “Pothuajse 40 janë plagosur aq rëndë sa duhet të shqetësohemi shumë për ta”, tha ai, duke i bërë thirrje kombit të qëndrojë i bashkuar kundër urrejtjes./VOA