Gjermania në zi, rritet numri i të vdekurve nga sulmi në tregun e Krishtlindjes

Evropë

Gjermania në zi, rritet numri i të vdekurve nga sulmi në tregun e Krishtlindjes

Më: 21 dhjetor 2024 Në ora: 11:49 Përditësuar në ora: 15:10 më 21.12.2024
Foto nga vendi i ngjarjes

Shkon në pesë numri i të vdekurve nga pasojat e sulmit në tregun e Krishtlindjeve në Gjermani

Numri i të vdekurve nga pasojat e sulmit në një treg Krishtlindjesh në qytetin gjerman të Magdeburgut është rritur në pesë, tha të shtunën guvernatori i shtetit.

Guvernatori i shtetit të Saksoni-Anhaltit, Reiner Haseloff tha gjithashtu se më shumë se 200 persona gjithsej janë plagosur, kur një mjek saudit përplasi qëllimisht makinën në treg të premten në mbrëmje.

Autoritetet arrestuan një 50-vjeçar në vendin e sulmit të premten në mbrëmje. Ai ka jetuar në Gjermani për gati dy dekada, duke ushtruar profesionin e mjekut në Bernburg, rreth 40 kilometra në jug të Magdeburgut. thanë zyrtarët.

Disa media gjermane e identifikuan të arrestuarin si Taleb A., duke mos publikuar mbiemrin e tij në përputhje me ligjet e privatësisë dhe raportuan se ai ishte specialist në psikiatri dhe psikoterapi.

Nuk ka ende një përgjigje se çfarë e nxiti atë të përplaste makinën mbi turmën në treg.

Duke e përshkruar veten si një ish-mysliman, i dyshuari shpërndante dhjetëra postime në rrjetin X çdo ditë duke u përqendruar në temat anti islame, duke kritikuar fenë dhe duke uruar myslimanët që braktisën besimin.

Ai gjithashtu akuzoi autoritetet gjermane se nuk kanë bërë mjaftueshëm për të luftuar atë që ai tha se ishte "islamizmi i Evropës". Disa e përshkruan atë si një aktivist që ndihmoi gratë saudite të largoheshin nga atdheu i tyre. Ai ka shprehur gjithashtu mbështetje për partinë e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD).

Kohët e fundit, ai dukej i përqendruar në teorinë e tij se autoritetet gjermane kanë vënë në shënjestër azilkërkuesit sauditë.

Eksperti i shquar gjerman i çështjeve të terrorizmit Peter Neumann tha se ai ende nuk kishte hasur në një të dyshuar për një akt të dhunës masive me një profil të tillë.

Kancelari gjerman Olaf Scholz qëndroi të shtunën në Magdeburg për të shprehur mbështetjen e tij për viktimat e sulmit.

"Çfarë akti i tmerrshëm është të plagosësh dhe vrasësh kaq shumë njerëz me një brutalitet të tillë", tha kancelari Scholz. “Pothuajse 40 janë plagosur aq rëndë sa duhet të shqetësohemi shumë për ta”, tha ai, duke i bërë thirrje kombit të qëndrojë i bashkuar kundër urrejtjes./VOA

Katër të vdekur, 200 të plagosur – Magdeburgu në zi

Sulmi i së premtes vonë në Magedburg (20.12.) ka tronditur Gjermaninë dhe ka shkaktuar reagime të mëdha. Landi Saksoni-Anhalt shpalli ditë zie deri të hënën në mëngjes. Kancelari,  Olaf Scholz  pritet të vizitojë të shtunën vendin e ngjarjes. Scholz shkroi në X: "Mendimet e mia janë me viktimat dhe familjet e tyre. Ne qëndrojmë krah tyre dhe pranë njerëzve në Magdeburg". Kancelari gjerman shprehu falënderimin e tij për "forcat e përkushtuara të shpëtimit në këto orë ankthi".

Edhe Presidenti i Gjermanisë,  Frank-Walter Steinmeier u shpreh i prekur thellë lidhur me mësymjen e një automjeti në tregun e Krishtlindjes në Magdeburg, që mendohet se mund të jetë një sulm. "Gëzimi për festën e Krishtlindjes u pre", shkroi presidenti në platformën X. "Me mendje jam pranë viktimave dhe të afërmve të tyre. Falenderoj të gjitha forcat e shpëtimit për angazhimin e tyre." Steinmeier tërhoqi vëmendjen, se ende "nuk është zbardhur i gjithë sfondi i këtij akti të tmerrshëm."

Reagime vijnë edhe nga Europa.  Presidenti francez, Emmanuel Macron u shpreh në platformën X mjaft i tronditur, dhe shkroi se Franca ndan trishtimin me popullin gjerman. Presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen dënoi aktin "brutal dhe frikacak" dhe theksoi se "ky akt dhune duhet të hetohet dhe të dënohet ashpër.” Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s,  Mark Rutte tha gjithashtu se ai kishte kontaktuar kancelarin Scholz dhe i kishte shprehur ngushëllimet e tij.

Image
Kryeministri i landit Saksoni-Anhalt, Reiner Haseloff, CDUFotografi: Hendrik Schmidt/dpa/picture alliance

Kryeministri i landit të Sakoni-Anhalt, Reiner Haseloff (CDU) bëri fjalë për një tragjedi dhe katastrofë të tmerrshme për qytetin e Magdeburgut dhe Gjermaninë. Ai shprehu ngushëllimet për familjet e viktimave, uroi shërim të shpejtë dhe falënderoi shërbimet e emergjencës për punën e tyre. Edhe politikanë të tjerë gjermanë reaguan të tronditur pas sulmit në Magdeburg dhe shprehën ngushëllimet e tyre. Ndër të tjera, kandidati për kancelar i Unionit Friedrich Merz, kandidati i Gjelbër për kancelar Robert Habeck, dhe kandidatja e AfD Alice Weidel, si edhe kandidati kryesor i FDP për kancelar, Christian Lindner.

Nga ana e saj, Arabia Saudite dënoi aktin në Magdeburg dhe shprehu solidaritetin e saj me Gjermaninë. Qeveria në Riad shpreh "solidaritetin e saj me popullin gjerman dhe familjet e viktimave” dhe thekson "refuzimin e dhunës”, deklaroi Ministria e Jashtme e Arabisë Saudite në shërbimin online X.

Image
Tronditje në Magdeburg, automjeti mësyu tregun e krishtlindjeveFotografi: dts Nachrichtenagentur/IMAGO

Çfarë ndodhi?

Një makinë u përplas në një turmë në tregun e Krishtlindjeve në Magdeburg të premten, e sipas informacioneve në një raport të brendshëm nga policia e Magdeburgut thuhet se kjo ndodhi pak pas orës 19:00. Të shtunën u tha se 4 persona ndërruan jetë, dhjetëra janë të plagosur. Sipas administratës së qytetit të Magdeburgut, 15 prej tyre u plagosën rëndë. Një i dyshuar është arrestuar. Shoferi i një BMW-je të zezë të marrë me qira u fut në turmë "të paktën 400 metra mbi tregun e Krishtlindjeve". Tregu i Krishtlindjeve u mbyll.

Image
Automjeti mësyu tregun e krishtlindjeve në Magdeburg të premten, 2 viktima e mjaft të plagosurFotografi: dts Nachrichtenagentur/IMAGO

Kush është i dyshuari?

I dyshuari i arrestuar mësohet se është një mjek 50-vjeçar, Taleb A., i cili vjen nga Arabia Saudite dhe ka ardhur në Gjermani në vitin 2006. Sipas hulumtimeve të WDR dhe NDR, ai thuhet se është një figurë shumë e spikatur në komunitetin e migrantëve sauditë dhe konsiderohej person kontaktues për azilkërkuesit, veçanërisht gratë. Ai ka statusin e azilit si refugjat politik që nga viti 2016. Nuk ka informacione për motivin. Kryeministri i landit, Haseloff tha se hetimet janë në vazhdim.

Sipas informacioneve nga qarqet e sigurisë, të cilave u referohet agjencia e lajmeve dpa, i dyshuari i arrestuar nuk ishte i njohur më parë për autoritetet gjermane si ekstremist. Deklaratat e deritanishme që i dyshuari ka bërë deri para pak kohësh në rrjetet sociale japin dëshmi se ai mund të jetë ndjerë i përndjekur. Sipas hulumtimit të WDR, ai ishte jashtëzakonisht kritik ndaj islamit në internet dhe se i frikësohej islamizimit të Gjermanisë. Në platformën X ai shprehte urrejtje të hapur për islamin dhe e quante veten "kritikun më agresiv të islamit në histori"/DW

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat