Gjykata franceze ka dënuar tetë persona që kanë lidhje me vrasjen e një mësuesi i cili kishte treguar karikaturën e Profetit Muhamed në klasë.
Sipas mediave lokale, masat e dënimit me burg variojnë nga 1- 16 vite sipas roleve të tyre në këtë ngjarje. Samuel Paty, 47 vjeç, u kishte treguar nxënësve të tij karikaturat në tetor të vitit 2020, ku ndërkohë një 18-vjeçar e goditi me thikë para shkollës së tij në Conflans-Sainte-Honorine, afër Parisit. Sulmuesi u qëllua dhe u vra nga policia pak pas ngjarjes.
Ndër të dënuarit ishte edhe babai i një nxënësi, i cili me një version të rremë të ngjarjeve lidhur me përdorimin e karikaturave nga Paty shkaktoi një valë postimesh në media sociale që sulmonin mësuesin e shkollës së mesme. Gjykata e dënoi Brahim Chnina me 13 vjet burg për lidhje me një organizatë terroriste, sipas transmetuesit Franceinfo.
Chnina kishte publikuar video ku akuzonte padrejtësisht mësuesin se e kishte ndëshkuar vajzën e tij për ankesat që ajo kishte bërë për mësimin, duke e përmendur emrin e Paty-t dhe identifikuar shkollën e tij.
Abdelhakim Sefrioui, themelues i një organizate islamike radikale, mori një dënim prej 15 vjetësh burg. Sefrioui dhe Chnina u shpallën fajtorë për nxitje të urrejtjes ndaj Paty-t.
Dy bashkëpunëtorë të autorit të vrasjes së Paty-t, Abdullakh Anzorov, u dënuan gjithashtu. Naim Boudaoud dhe Azim Epsirkhanov u dënuan me 16 vjet burg për bashkëpunim në vrasje terroriste. Të dy mohuan fajësinë.