Kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico, paralajmëroi për një krizë gazi të premten, ndërsa Ukraina vazhdon të refuzojë zgjatjen e kontratës për kalimin e gazit natyror përmes territorit të saj.
Ukraina ka deklaruar vazhdimisht se nuk do të vazhdojë një marrëveshje për transitin e gazit me Rusinë, pasi të dyja vendet janë në luftë.
Sllovakia, e cila ka një kontratë afatgjatë me gjigantin rus të naftës, Gazprom, ka kërkuar të vazhdojë marrjen e gazit përmes Ukrainës, duke argumentuar se blerja nga burime të tjera do t’i kushtonte 220 milionë euro më shumë në shpenzime transiti.
Fico e shtroi çështjen të enjten gjatë një samiti të Bashkimit Evropian në Bruksel, ku ishte i pranishëm edhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili përsëriti se vendi nuk do të vazhdonte marrëveshjen për gazin rus.
“Po përballemi në mënyrë të qartë me një krizë gazi falë presidentit Zelensky”, tha Fico në fillim të një konference për shtyp në Bratislavë, pa dhënë detaje të tjera, shkruan reuters.
Para samitit të BE-së, Fico kishte folur për mundësi alternative, ku gazi që kalon përmes Ukrainës të mos ishte i kontrolluar nga Rusia, por nga një palë tjetër. Megjithatë, pas samitit, ai deklaroi se Zelensky e kishte përjashtuar çdo mundësi transiti të gazit.
Fico gjithashtu hodhi poshtë sugjerimin e Zelenskyt që Ukraina mund të ri-konsideronte vazhdimin e marrëveshjes me kushtin që Moska të mos merrte para për karburantin derisa të mbaronte lufta.
Komisioni Evropian ka deklaruar se nuk është i interesuar të vazhdojë rrjedhat e gazit rus përmes Ukrainës.
Fico tha se nuk mund ta përjashtonte mundësinë që Sllovakia të “mendojë për masa reciproke” nëse tranziti i gazit ndalet.
Sllovakia ka ofruar energji për Ukrainën në vitet e fundit, duke përfshirë furnizime me elektricitet dhe naftë, si dhe ndihmë humanitare për fqinjët e saj.
Megjithatë, Fico ka ndaluar ndihmën ushtarake shtetërore për Kievin, ka deklaruar se lufta me Rusinë nuk ka një zgjidhje ushtarake dhe ka kritikuar sanksionet kundër Moskës.
Sllovakia thotë se ndalimi i rrjedhës së gazit në fillim të vitit 2025 nuk do të rrezikojë furnizimet e saja për shkak të rezervave të mjaftueshme, por do të ndikojë operacionet e tranzitit dhe ka paralajmëruar për ndikim në çmimet e tregut.