Autori i tragjedisë në tregun e Krishtlindjeve ka kërcënuar se do të vriste njerëz të pafajshëm disa muaj përpara se të ndërmerrte sulmin me makinë në Magdeburg, duke vrarë 5 persona, mes të cilëve edje një fëmijë 9-vjeçar, dhe plagosur 205 të tjerë.
Autoritetet gjermane u paralajmëruan tre herë nga Arabia Saudite për komplotin rrëqethës të mjekut Taleb al-Abdulmohsen.
Gjithashtu kishte sinjalizime mbi postimet shqetësuese që Taleb al-Abdulmohsen kishte bërë në rrjetet sociale duke paralajmëruar se “diçka e madhe do të ndodhë në Gjermani”.
Al-Abdulmohsen, 50 vjeç, u arrestua në vendngjarje pasi BMW-ja e tij u përplas me argëtuesit në tregun e mbushur me njerëz.
Tashmë është zbuluar se Arabia Saudite ka lajmëruar vazhdimisht policinë gjermane për shtetasin e tyre al-Abdulmohsen, që jeton në Gjermani që nga viti 2006.
Në rrjetet sociale ai ka shkruar “a ka një rrugë drejt drejtësisë pa masakruar qytetarët gjermanë pa dallim?”
Në vitin 2023 al-Abdulmohsen pyeti 48,000 ndjekës në X: “A do të më fajësoni mua nëse unë vras rastësisht 20 gjermanë për shkak të asaj që Gjermania po bën kundër opozitës saudite?”
Një grua raportoi postimin e fshirë, por përsëri ishte e paqartë nëse policia ndërmori ndonjë veprim.
Prokurorët dje thanë se kundër të dyshuarit po përgatiteshin akuza për vrasje dhe tentativë vrasje.
Ende nuk është e qartë nëse sulmi ishte i lidhur me terrorin dhe motivi mund të ketë qenë “një pakënaqësi me mënyrën se si refugjatët e Arabisë Saudite trajtohen në Gjermani”.