Një raport i ri ka zbuluar se agjencia e inteligjencës serbe ka instaluar programe përgjimi (spyware) në telefonat e gazetarëve dhe aktivistëve. Lajmi vjen ndërsa protestat po shtohen kundër qeverisjes autokratike të Presidentit Aleksandar Vuçiç.
Aktivisti i ri Nikola Ristiç, në fillim të nëntorit, drejtoi protesta në Beograd, duke kërkuar dorëheqjen e politikanëve pas tragjedisë ku humbën jetën 15 persona nga shembja e një tende në stacionin hekurudhor në Novi Sad, qyteti i dytë më i madh në Serbi.
Sipas një raporti nga organizata e të drejtave të njeriut Amnesty International, më 3 nëntor, Ristiç u ndalua nga policia dhe u mor në pyetje nga BIA, agjencia kombëtare e inteligjencës dhe sigurisë e Serbisë. “Ishte më shumë një përpjekje për të më bindur që të ndaloja së qeni aktivist,” i tha ai Balkan Insight, një publikim i Rrjetit Ballkanik për Gazetari Investigative (BIRN), i cili intervistoi gazetarët për raportin e Amnesty.
Gjatë marrjes në pyetje, telefoni i Ristiç ndodhej në një dhomë tjetër, ku u instalua spyware-i serb NoviSpy. Ky ishte vetëm një nga disa raste të tilla të dokumentuara nga Amnesty.
Program izraelit dhe vendas
Prej kohësh autoritetet serbe janë dyshuar për përdorimin e softuerëve vendas dhe izraelitë për të përgjuar telefonat e aktivistëve dhe gazetarëve. Por, një ekzaminim i telefonave të dhjetëra aktivistëve dhe gazetarëve tani ofron prova të forta.
Sipas Amnesty, policia dhe BIA përdorën softuerin e kompanisë izraelite Cellebrite për të zhbllokuar telefonat dhe më pas instaluan spyware-in NoviSpy. Ky spyware i mundëson BIA-së akses në të gjitha kontaktet e një telefoni dhe fotografi nga ekrani që zbulojnë gjithçka që një person bën ose shkruan në pajisjen e tij. Madje, raportohet se mikrofoni dhe kamera mund të aktivizohen nga distanca.
Përgjigja e kompanisë izraelite
Cellebrite, kompania e softuerit i cili përdoret gjithashtu nga FBI-ja amerikane, konfirmoi bashkëpunimin me autoritetet serbe, por theksoi se mjeti nuk është i destinuar për përdorim të tillë si ai që ka zbuluar raporti i Amnesty.
“Nëse këto akuza rezultojnë të sakta, kjo mund të përbëjë shkelje të marrëveshjes së licencës së përdoruesit fundor,” tha për agjencinë e lajmeve Reuters David Gee, shefi i marketingut të kompanisë. Në këtë rast, përdorimi i teknologjisë nga autoritetet serbe mund të pezullohet zyrtarisht, shtoi ai.
Kufizimi i mendimit kritik
Presidenti Vuçiç, që nga viti 2017 ka pasur një kontroll të fortë mbi pushtetin. Kritikat e fundit për përdorimin e spyware-it, së bashku me protestat masive, përbëjnë sfidën më të madhe ndaj dominimit të tij. Megjithatë, shumë kritikë frikësohen se survejimi dhe shtypja do të intensifikohen më tej.
Siç tha gazetari Nedim Sejdinovic: “Me kalimin e viteve, shteti nuk ka kursyer asnjë mjet për të arritur një qëllim: shkatërrimin e mendimit kritik.” / bota.al