Dhjetëra mijëra veta u mblodhën sot në Beograd duke protestuar kundër presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe qeverisë së tij.
Protesta e organizuar nga studentët dhe sindikatat e fermerëve, është pjesë e një lëvizjeje më të gjerë që kërkon përgjegjësi për shembjen e çatisë së stacionit hekurudhor në Novi Sad që shkaktoi 15 të vdekur më 1 nëntor.
Protesta filloi me 15 minuta heshtjeje në nderim të viktimave dhe u pasua nga brohoritjet "I keni duart e përgjakura”. Tubime më të vogla u mbajtën edhe në Nish dhe Kragujevc.
Shumë në Serbi fajësojnë për fatkeqësinë korrupsionin e përhapur dhe punimet e dobëta në ndërtesën e stacionit hekurudhor, që u rinovua dy herë në vitet e fundit si pjesë e projekteve të dyshimta që përfshijnë kompanitë shtetërore kineze.
Protestuesit kërkojnë që Vuçiq dhe përgjegjësit për shembjen e çatisë, të përballen me drejtësinë. Deri më tani autoritetet kanë arrestuar 13 persona për ngjarjen në Novi Sad, përfshirë një ministër që u la më pas i lirë, duke shtuar mosbesimin e publikut rreth procesit të hetimeve.
Protestat e javëve të fundit e kanë sfiduar Vuçiq, kundërshtarët e të cilit e akuzojnë për sundim gjithnjë e më autokratik. Udhëheqësi serb kërkon zyrtarisht anëtarësimin në BE, por është përballur me akuzat për shkeljen e lirive demokratike dhe ruan lidhje të ngushta me Rusinë dhe Kinën.
Vuçiq fillimisht akuzoi studentët për nisjen e protestave, duke thënë se po paguhen nga Perëndimi, ndërsa më vonë pretendoi se i përmbushur kërkesat e tyre, përfshirë publikimin e dokumentacionit mbi rinovimin e stacionit të trenit në Novi Sad.
Presidenti serb përuroi sot një pjesë të një autostrade të sapondërtuar në Serbinë qendrore, ku tha se nuk do t'u nënshtrohet kërkesave të opozitës për qeveri kalimtare dhe akuzoi kundërshtarët se po shfrytëzojnë studentët për të marrë pushtetin pa zgjedhje.
Opozita thotë se një qeveri kalimtare do të përgatiste zgjedhje të lira dhe të ndershme, dhe mund të ishte rrugëdalje nga tensionet politike.
Në përpjekje për të penguar protestat, Qeveria e Serbisë ka zgjatur pushimet dimërore të shkollave duke i nisur ato gati një javë më herët. Ditët e fundit lëvizjes i janë bashkuar edhe më shumë nxënës shkollash të mesme.
Mësimet në universitetet në Serbi janë pezulluar prej javësh me studentët që po qëndrojnë brenda ndërtesave të fakulteteve. Dhuna e herëpashershme ka përshkuar protestat ndërsa grupe pro-qeveritare u përpoqën të pengojnë protestat.
Një grup fermerësh thanë sot se policia i mori traktorin njërit prej udhëheqësve të tyre para protestës. Përveç fermerëve, studentët e Serbisë gjithashtu kanë marrë mbështetje mbarëkombëtare nga të gjitha sferat e jetës duke përfshirë profesorët e tyre, personalitete të medias, avokatë dhe individë të shquar. /REL