Kryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Andrija Mandiq ka urdhëruar përjashtimin e deputetëve të cilët, siç ka thënë ai, kanë prishur rendin në Kuvend të premten.
“Po shqiptoj masën e privimit të atyre deputetëve që e kanë penguar mbajtjen e seancës”, ka thënë Mandiq, duke shtuar se për këtë i ka njoftuar me shkrim.
Deputetët e opozitës kundërshtuan këtë gjë, duke kërkuar që të trajtohet proceduralisht.
Pastaj deputetja e pavarur Jevrosima Pejoviq erdhi te Mandiq, duke u përpjekur të merrte mikrofonin.
“Pse ma morët fjalën?! Nuk të kërkova as të flasësh. Tani do ma jepni fjalën”, i tha ajo Mandiqit.
Më pas Mandiq e mbylli seancën e sotme dhe deputetët e opozitës iu afruan tavolinës së Mandiqit, duke protestuar për masën.
Lideri i Lëvizjes Qytetare URA, Dritan Abazoviq, ka protestuar kur ekipeve mediatike iu tha të largoheshin nga salla.
“Lëri mediat”, i ka bërtitur Abazoviq, Dejan Gjuroviqit nga Demokracia e Re Serbe.