Njerëzit në Rusi “kanë nevojë për të vërtetën”, thotë gazetarja që sakrifikoi shumë për të vazhduar raportimin

Evropë

Njerëzit në Rusi “kanë nevojë për të vërtetën”, thotë gazetarja që sakrifikoi shumë për të vazhduar raportimin

Më: 24 dhjetor 2024 Në ora: 21:45
Alesya Marokhovskaya, e fotografuar në Pragë të Republikës Çeke. Kryeredaktorja e rrjetit investigativ 'ISTories' thotë se Rusia ende vazhdon ta kërcënojë atë dhe ekipin e saj, që ushtrojnë veprimtarinë raportuese jashtë Rusisë

Lista e sakrificave që Alesya Marokhovskayas i është dashur të bëjë për të vazhduar raportimin mbi Rusinë, ndërsa në mërgim, është e gjatë: shtëpia, vendlindja, familja, miqtë, kultura, siguria.

Vetëm gjatë këtij muaji, autoritetet ruse ushtruan kontroll në banesën e prindërve të gazetares, në qytetin port Madagan, në lindje të vendit, si dhe ngritën padi penale ndaj gazetares për shkelje të ligjit rus për agjentët e huaj.

Kur ajo foli me Zërin e Amerikës në Pragë, vjeshtën e e këtij viti, ajo u përpoq të gjente fjalët se përse vlejnë këto sakrifica. Në fund ajo vendosi se të gjitha vlenin për popullin rus.

“Ata po i helmojnë rusët”, tha ajo, duke shpjeguar se si e sheh propagandën e Kremlinit. “Në botën tonë, informacioni është një nga gjërat më rë rëndësishme dhe unë jam totalisht kundër idesë së manipulimit të mendjeve të njerëzve”, shprehet ajo.

Si kryeredaktore e rrjetit investigative IStories, që ushtron veprimtarinë raportuese jashtë Rusisë, goditja ndaj propagandës, për të përcjellë tek rusët e zakonshëm të vërtetën, është objektivi kryesor për zonjën Marokhovskaya. Por duke e bërë një gjë të tillë, vetë ajo dhe ekipi i saj përballen me kërcënime ligjore dhe mbikqyrje, pavarësisht se operojnë nga Praga.

Zonja Marokhovskaya nuk kishte në plan të largohej nga Rusia as kur Moska e shpalli gazetaren si “të ashtuquajturën agjente të huaj”, në 2021.

Përkundrazi, ajo zbatoi rregullat strikte që parashikohen në rastin e përcaktimit si agjent i huaj.

Për muaj me radhë, ajo etiketoi postimet e saj në rrjetet sociale, përfshirë edhe fotografitë me qenin e saj, duke shtuar një fjali ku shkruhej se kjo “ishte realizuar nga një agjente e huaj” dhe po ashtu depozitoi raportet financiare në Ministrinë e Drejtësisë.

“Ishte shumë fyese”, thotë Marokhovskaya. Por ajo i zbatoi rregullat sepse donte të vazhdonte të raportonte në Rusi.

Por kur Rusia nisi sulmin në shkallë të gjerë ndaj Ukrainës, ajo thotë se u bë e qartë se Moska do të shtonte përndjekjen nda gazetarëve të pavarur. Shumë shpejt, ajo dhe shumë kolegë të saj të ‘IStories’ u larguan drejt Pragës, kryeqytetit të Republikës Çeke.

Në atë kohë, gazetarja Marokhovskaya shqetësohej se marrëdhëniet mes ‘IStories’ dhe audiencës kryesore brenda Rusisë, nuk do t'i mbijetonin distancës.

“Kishim frikë se do të bëheshim një media për emigrantët. Ne duam të jemi një media për rusët (brenda Rusisë), në radhë të parë”, thotë Marokhovskaya. Por rrjeti ‘Istories’ mbijetoi. “E kam ende këtë frikë, por tani e shoh se mund të punojmë në rrethana të tilla”.

Marokhovskaya ka punuar për rrjetin ‘Istories’, ose "Lajme të rëndësishme", që kur u themelua në vitin 2020. Në shtator, në moshën 29-vjeçare, ajo u bë kryeredaktore e gazetës. Ajo mori këtë rol që dikur e mbante themeluesi i ‘Istories’, Roman Anin, i cili tani është botuesi.

Rusia e ka përcaktuar ‘Istories’ si agjent të huaj dhe një organizatë të padëshiruar. Kjo e vë ekipin e gazetarëve, burimet dhe donatorët para rrezikut për gjoba, akuza penale dhe dënim me burg.

Si kryeredaktore e re e gazetës, zonja Marokhovskaya ka për detyrë të drejtojë atë që është bërë një nga mediat hulumtuese më të spikatura ruse të lajmeve në mërgim, në një kohë kur rreziqet janë veçanërisht të larta, tha ajo.

Ndërsa afrohet përvjetori i tretë i luftës Rusi-Ukrainë, veprimet e mbështetura nga Kremlini kundër gazetarëve në mërgim që përbëjnë një kërcënim të përditshëm dhe të ardhmen e Rusisë, që mbetet e pasigurt, zonja Marokhovskaya thotë se puna e tyre është edhe më e rëndësishme.

Ndër përparësitë e saj është që të kuptojë se si të ruajë lidhjen midis ‘Istories’ dhe audiencës së saj brenda Rusisë dhe si ta rrisë atë audiencë.

“Kur jetoni në Rusi, jeni të rrethuar nga propaganda”, thotë ajo.

“Shumë njerëz në Rusi kanë nevojë për të vërtetën”.

Depërtimi i medias tek ata që kundërshtojnë Presidentin Vladimir Putin dhe luftën e tij, nuk ka qenë i vështirë. Zonja Marokhovskaya dëshiron të përqendrohet tek ata që nuk janë domosdoshmërisht pro ose kundër Presidentit Putin, por që janë të pavendosur.

Një pjesë e kësaj strategjie është biseda me njerëzit në një mënyrë që nuk i izolon ata, thotë Artem, kreu i departamentit të videove ‘Istories’. Ai kërkoi të përdorim një nofkë në vend të emrit të tij të vërtetë për arsye sigurie.

“Ne nuk u themi atyre se jeni të paditur, se jeni kriminelë lufte”, tha ai. “Ne thjesht e paraqesim jetën reale në Rusi ashtu siç është. Ne po flasim me njerëz të vërtetë. Po flasim për problemet e tyre. Gjithmonë përpiqemi të gjejmë diçka që është interesante për njerëzit e zakonshëm.”

Vëmendja kryesore është përqendruar tek lajmet me videonë ‘Istories’. Faqja i publikon videot në rrjetin ‘YouTube’, ku ‘Istories’ ka afro 720,000 abonentë dhe ku shumica e videove të saj tërheqin rreth 1 milion shikime.

Në muajin gusht, autoritetet ruse u duk se filluan të ulin shpejtësinë e ngarkimit të videove në ‘YouTube’ në një përpjekje të dukshme për të kufizuar qasjen. Zoti Artem pranoi se është i shqetësuar se si kjo do të ndikojë në ‘Istories’.

Kanali dhe videot në ‘YouTube’ kanë arritur të kenë ndikim. Dokumentari i vitit 2022, gjatë të cilit një ushtar rus rrëfehet për vrasjen e një civili ukrainas, ka më shumë se 2.5 milionë shikime.

Ajo u bë gjithashtu pika kryesore e një procesi gjyqësor në Rusi.

Gazetarja kryesore e dokumentarit, Ekaterina Fomina, e cila tani punon në TV Rain dhe themeluesi i ‘Istories’, Anin akuzohen për përhapjen e asaj që Kremlini e sheh si informacion të rremë për ushtrinë ruse. Dyshja po gjykohen në mungesë nga Moska ndërsa i kanë hedhur poshtë akuzat.

Me kërcënimet që janë të shumta ndaj tyre, shumë nga pjesëtarët e medias punojnë në rrugë anonime.

Zonjën Marokhovskaya e ngushëllon fakti se po bën gjënë e duhur për vendin e saj.

“Është vërtet e thjeshtë për mua”, tha ajo. “Unë jam patriote ndërsa ata në qeverinë ruse nuk janë”./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat