Presidenti i Malit të Zi Jakov Millatoviq, ka takuar sot profesorët universitar të së Drejtës Kushtetuese e ish-kryetarët e Gjykatës Kushtetuese të Malit të Zi, prof. Mlladen Vukçeviq dhe Prof. Dr. Millan Markoviq, me të cilët, siç raportohet, ka diskutuar për krizën aktuale kushtetuese të shkaktuar nga veprimet e Këshillit Kushtetues të Parlamentit të Malit të Zi dhe Kryetarit të Parlamentit.
Siç dihet, Komisioni Kushtetues i Parlamentit të Malit të Zi, javën e kaluar ka konstatuar se janë plotësuar kushtet për përfundimin e detyrës së gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, në kundërshtim me procedurën e përcaktuar me Kushtetutën e Malit të Zi.
Bashkëbiseduesit u pajtuan se me veprime të tilla, Këshilli Kushtetues, ka shkelur dispozitën e nenit 154, paragrafi 3 i Kushtetutës së Malit të Zi dhe ka uzurpuar kompetencën e Gjykatës Kushtetuese të Malit të Zi në pjesën që ka të bëjë me përcaktimin e arsyeve për ndërprerjen e funksionit të gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese.
“Gjithashtu, ata shprehën shqetësimin se veprimet e tilla të Komisionit Kushtetues dhe Kryetarit të Kuvendit të Malit të Zi, kanë cenuar rendin kushtetues dhe juridik në vend dhe sigurinë juridike. Duke vlerësuar rrethanat, në këtë takim, u pranua propozimi i Presidentit Millatoviq për formimin e një organi të posaçëm këshillimor i Presidentit të Malit të Zi, i cili do të përbëhet nga ekspertë eminentë në fushën e së drejtës kushtetuese nga Mali i Zi dhe nga jashtë“, thuhet në njoftim.