​Rreth 11 mijë migrantë vdiqën në përpjekje të arrinin në Spanjë më 2024

Evropë

​Rreth 11 mijë migrantë vdiqën në përpjekje të arrinin në Spanjë më 2024

Më: 26 dhjetor 2024 Në ora: 15:47
Foto ilustrim

Të paktën 10.457 njerëz humbën jetën ndërsa përpiqeshin të arrinin brigjet e Spanjës në mënyrë të parregullt në vitin 2024, njoftoi sot OJQ-ja e migracionit Caminando Fronteras, duke shtuar se kjo e bën vitin 2024 vitin më vdekjeprurës në historinë moderne të migracionit të Spanjës.

Çdo ditë, mesatarisht 30 migrantë vdisnin në det, thuhet në raport, nga 18 persona në ditë në vitin 2023. Shumica dërmuese e emigrantëve – 9.757 - vdiqën në rrugën e Atlantikut nga Afrika veriperëndimore në ishujt Kanarie. Grupi raportoi gjithashtu se 131 varka u zhdukën pa lënë gjurmë.

Rreth dy mijë gra dhe fëmijë vdiqën në det këtë vit, sipas raportit. Shumë migrantë, duke përfshirë gra, përjetojnë gjithashtu racizëm, punë të detyruar, dhunë ose kërcënime të tjera të tmerrshme para se të nisen për në Spanjë.

Caminando Fronteras tha se rritja e vdekjeve të këtij viti është kryesisht për shkak të dështimit të nisjes së misioneve të kërkim-shpëtimit, efekteve të politikave të jashtme të kufirit dhe kriminalizimit të migrantëve.

Sipas Ministrisë së Brendshme të Spanjës, 57.738 migrantë arritën me sukses në brigjet e Spanjës qe nga 15 dhjetori — një rritje prej 12% nga viti 2023. Megjithatë, rruga e ishujve Kanarie, e cila përbënte 75% të mbërritjeve, pa një rritje edhe më të madhe. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat