Ka tregues të ndryshëm për krahasimin e pagave dhe të ardhurave, por llogaritja e re e Eurostatit, paga mesatare vjetore e rregulluar për punonjës me kohë të plotë, del veçanërisht e dobishme.
Sipas Eurostat, në vitin 2023 paga mesatare vjetore e rregulluar me kohë të plotë varionte nga 13.503 euro në Bullgari në 81.064 në Luksemburg, ndërsa mesatarja e BE-së ishte 37.863 euro.
Nëntë shtete anëtare kanë paga mbi mesataren e BE-së, ndërsa 17 vende kanë rënë poshtë. Holanda nuk është përfshirë në të dhëna për shkak të dallimeve në metodologji.
Përveç Luksemburgut, paga mesatare e rregulluar ishte mbi 50.000 euro në pesë vende të tjera. Ndër to Danimarka (67.604), Irlanda (58.679), Belgjika (57.989), Austria (54.508) dhe Gjermania (50.988). Finlanda, Suedia dhe Franca renditen gjithashtu mbi mesataren e BE-së.
Bullgaria pasohet në fund nga Hungaria (16.895), Greqia (17.013), Rumania (17.739), Polonia (18.054) dhe Sllovakia (19.001, të gjitha me paga vjetore nën 20.000 euro. Italia dhe Spanja janë nën mesataren e BE-së me paga vjetore prej rreth 32.500 euro.
Kroacia ka një pagë mesatare vjetore prej 21.523 eurosh, ndërsa Sllovenia qëndron më mirë - 33.081 euro.
Duke qenë se kostoja e jetesës ndryshon nga vendi në vend, duhet të merret parasysh edhe standardi i fuqisë blerëse. Kur pagat vjetore përshtaten me këtë standard të fuqisë blerëse, diferencat janë më të vogla në krahasim me shifrat nominale. Megjithatë, ka ende dallime të rëndësishme në të gjithë BE-në.
Paga mesatare vjetore e rregulluar me kohë të plotë për punonjës, e matur me standardin e fuqisë blerëse varionte nga 20.525 në Greqi në 53.745 në Luksemburg. Në terma nominalë, Greqia u rendit e treta nga fundi, por rezultatin më të keq e pati për nga standardi i fuqisë blerëse.
Në këtë tregues, vetëm shtatë vende tejkaluan mesataren e BE-së: Luksemburgu, Belgjika, Danimarka, Gjermania, Austria, Irlanda dhe Franca.
Midis 26 vendeve të BE-së, paga mesatare vjetore e rregulluar me kohë të plotë për punonjës u ul vetëm në Suedi midis 2022 dhe 2023.
Në Suedi, paga mesatare ra me 1.817 euro, duke reflektuar një rënie prej 4 për qind për shkak të konvertimit të koronës suedeze në euro. Në BE pagat u rritën me 2.225 euro ose 6 për qind.
Në terma nominalë, pagat janë rritur më së shumti në Luksemburg, Belgjikë dhe Irlandë dhe në secilin prej këtyre vendeve ato arrijnë mbi 4.000 euro. Pagat mesatare në Maltë, Greqi dhe Itali janë rritur me më pak se 1.000 euro.
Duke parë ndryshimet në përqindje, rritja më e lartë u vu re në Rumani, Hungari, Poloni, Letoni dhe Kroaci, ku pagat mesatare u rritën mbi 15 për qind. Në të kundërt, rritjet ishin nën 5 për qind në Maltë, Itali, Greqi, Danimarkë, Finlandë dhe Qipro.