Zelensky flet për kapjen rob të ushtarëve të Koresë së Veriut: Disa kanë vdekur shkaku i plagëve të rënda

Evropë

Zelensky flet për kapjen rob të ushtarëve të Koresë së Veriut: Disa kanë vdekur shkaku i plagëve të rënda

Më: 28 dhjetor 2024 Në ora: 15:24
Ushtarë

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, deklaroi se disa ushtarë të Koresë së Veriut, të cilët ishin “plagosur rëndë”, kanë ndërruar jetë nga plagët e marra pasi u kapën nga forcat ukrainase.

“Ushtarët tanë arritën t’i kapin si robër. Por, ata ishin shumë rëndë të plagosur dhe nuk mundën të shpëtohen”, tha Zelensky.

Ai nuk specifikoi numrin e saktë të ushtarëve të kapur. Ushtarët besohet të jenë të parët nga Koreja e Veriut që janë marrë si robër lufte nga Ukraina, shkruan cnn.

Agjencia e spiunazhit e Koresë së Jugut njoftoi më herët të premten se një ushtar i plagosur i Koresë së Veriut, i kapur nga Ukraina, kishte vdekur nga plagët.

Ushtarët koreanoveriorë besohet të kenë pësuar humbje të mëdha gjatë luftimit përkrah Moskës në rajonin perëndimor Kursk të Rusisë, sipas zyrtarëve amerikanë dhe ukrainas.

Ukraina nisi në muajin gusht një sulm të shpejtë në Kursk, duke detyruar Rusinë të devijojë trupat drejt atij rajoni.

Zelensky tha se ushtria koreanoveriore po përballet me humbje të rënda dhe akuzoi Rusinë se i dërgon ata në fushëbetejë me “mbrojtje minimale.”

“Ata kanë shumë humbje. Shumë. Dhe ne shohim se ushtria ruse dhe mbikëqyrësit koreanoveriorë nuk janë aspak të interesuar për mbijetesën e këtyre koreanëve”, tha ai.

Ndryshe, as Moska dhe as Pheniani nuk kanë pranuar zyrtarisht praninë e trupave koreanoveriorë në Rusi. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat