Mikheil Kavelashvili, ish-futbollist dhe politikan populist i krahut të djathtë, ka bërë betimin si president i ri i Gjeorgjisë, në mes të një krize politike disamujore.
Salome Zurabishvili, presidentja në largim, u largua nga rezidenca e saj në pallatin presidencial në Tbilisi më 29 dhjetor, por tha se ajo vazhdon të jetë presidentja legjitime.
Politikania properëndimore, Zurabishvili, mandati i së cilës përfundon më 29 dhjetor, tha se ajo nuk do të largohet nga detyra. Ajo pretendoi se pasardhësi i saj – i zgjedhur nga kolegji zgjedhor i dominuar nga partia në pushtet, Ëndrra Gjeorgjiane – është “jolegjitim”.
Gjeorgjia është përballur me protesta antiqeveritare që kur Ëndrra Gjeorgjia pretendoi fitoren në zgjedhjet parlamentare të tetorit, që u përshkruan me akuza të blerjeve të votave, votimeve të dyfishta, dhunës fizike dhe frikësimit.
Protestat u intensifikuan pas vendimit të Qeverisë muajin e kaluar që të shtyjë negociatat për anëtarësimin e Gjeorgjisë në Bashkimin Evropian.
Në një fjalim para mijëra mbështetësve të mbledhur jashtë pallatit presidencial më 29 dhjetor, Zurabishvili tha se ajo vazhdon të jetë “presidentja e vetme legjitime” dhe u zotua se do të vazhdojë betejën.
Deklaratat e saj erdhën disa momente pasi Kavelashvili, 53 vjeç, kritik i Perëndimit, u inaugurua gjatë një ceremonie në Parlament.
Një ditë më parë, Zurabishvili iu bashkua protestuesve në Tbilisi, teksa pjesëmarrësit valëvitën flamuj të Gjeorgjisë dhe BE-së dhe marshuan në kryeqytet.
Ky tubim shënoi njëmujorin e valës së fundit të protestave, që janë përshkruar me veprime të dhunshme të policisë, arrestime masive dhe lëndime të protestuesve.
Protestuesit e akuzojnë Qeverinë e Ëndrrës Gjeorgjiane që po e largon shtetin nga BE-ja dhe po e afron me Moskën.
Më 27 dhjetor, Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione të reja ndaj miliarderit, të afërt me Rusinë, Bidzina Ivanishvili, ish-kryeministër i shtetit dhe themelues i Ëndrrës Gjeorgjiane. Uashingtoni e ka akuzuar atë për minim të demokracisë të Gjeorgjisë “për interes të Federatës Ruse”.
Sanksionet nxitën zemërimin e Ëndrrës Gjeorgjiane, ndërkaq u mirëpritën nga opozita./REL