Elon Musk mbështet AfD, përballet me kritika të ashpra

Evropë

Elon Musk mbështet AfD, përballet me kritika të ashpra

Më: 31 dhjetor 2024 Në ora: 07:53
Elon Musk mban një fjalim në mbështetje të kandidatit republikan për president, Donald Trump, gjatë një mitingu në Madison Square Garden, New York, më 27 tetor 2024.

Çfarë ka shkruar miliarderi amerikan në Welt am Sonntag?

Pas postimesh në rrjetin e tij social X, ku Elon Musk deklaronte se vetëm AfD-ja mund ta shpëtonte Gjermaninë, ai e forcoi këtë qëndrim me një artikull në gazetën javore "Welt am Sonntag". Musk shkruan: "Alternativa për Gjermaninë mund ta shpëtojë Gjermaninë që të mos bëhet hije e së kaluarës së saj. Gjermania është rehatuar në mesatare – është koha për ndryshime të guximshme, dhe AfD-ja është e vetmja parti që mund ta hapë këtë rrugë."  

Musk shkruan aty se AfD-ja është "shpresa e fundit për vendin", që sipas tij po kalon një krizë ekonomike dhe kulturore. Ai beson se vetëm AfD-ja mund ta ringjallë ekonominë gjermane dhe të shmangë humbjen e identitetit përmes një "politike të imigracionit të kontrolluar". Për ata që e cilësojnë AfD-në si ekstremiste, Musk thotë: "Mos u ndikoni nga etiketimet," duke përmendur se bashkëkryetarja e AfD-së, Alice Weidel, ka një partnere nga Sri Lanka.  

Si kanë reaguar ndaj këtij komenti?

Me kritika të ashpra. Kryetari i Shoqatës Gjermane të Gazetarëve (DJV), Mika Beuster, paralajmëroi redaksitë që të mos instrumentalizohen gjatë fushatës zgjedhore dhe të jenë të kujdesshme me artikujt e ftuar. Kandidati për kancelar i CDU-së, Friedrich Merz, e cilësoi thirrjen si "teprim dhe arrogancë", duke shtuar: "Nuk mbaj mend të ketë pasur një rast të ngjashëm ndërhyrjeje në zgjedhjet e një vendi mik në historinë e demokracive perëndimore."  

Sekretari i Përgjithshëm i SPD-së, Matthias Miersch, kritikoi botuesin e gazetës, "Grupi Axel Springer", që i dha një platforme të tillë Musk-ut. Ai tha se kjo është e turpshme dhe e rrezikshme dhe se dëshmon se sa shumë ka depërtuar rrjetet e djathta. Ndërkohë, lideri i SPD-së, Lars Klingbeil, e akuzoi Musk-un për përpjekje për destabilizimin e Gjermanisë, duke e krahasuar atë me Vladimir Putinin.  

Kurse kandidatja për kancelare e AfD-së, Alice Weidel, ndau në X një pjesë të artikullit të Musk-ut, pa e komentuar më tej.  

Çfarë strategjie po ndjek Elon Musk me këto deklarata?

Musk, si njeriu më i pasur në botë, duket se ka në mendje interesat e tij ekonomikë. Ai lavdëroi AfD-në për planet e saj për të reduktuar rregullat shtetërore dhe për të ulur taksat, gjë nga e cila do të përfitonte veçanërisht fabrika e Tesla-s në Brandenburg.  

Por Musk ndjek edhe një agjendë globale politike, duke mbështetur forcat e djathta. Ai thuhet se i ka premtuar mbështetje financiare politikanit britanik Nigel Farage dhe ka marrëdhënie të ngushta me kryeministren italiane Giorgia Meloni.  

Çfarë roli luan "Welt" dhe grupi Axel Springer?

Gazeta "Welt" u themelua në zonën britanike të Gjermanisë në vitin 1946 dhe, pas shtatë vitesh, u ble nga Axel Springer. Ky grup mediatik, aktiv në mbi 40 vende, është i njohur për ndikimin e tij në debatet politike të Gjermanisë, veçanërisht përmes gazetës "Bild".  

Publikimi i artikullit të Musk-ut shkaktoi debate të ashpra në redaksinë konservatore. Drejtoresha e redaksisë së opnioneve, Eva Marie Kogel, dha dorëheqjen pas publikimit. Ka dyshime se për publikimin mund të ketë ndërhyrë shefi i Axel Springer, Mathias Döpfner, një admirues i Musk-ut. 

A mundet shtypi të mbështesë publikisht një parti politike?  

Po, në Gjermani kjo lejohet, por mbështetja publike nga media është e rrallë. Liria e shtypit dhe e mendimit janë të garantuara me Kushtetutë.  Në vitin 2002, "Financial Times Deutschland" ishte gazeta e parë që bëri një rekomandim publik për një parti, duke thyer një tabu në mediat gjermane. Ky precedent erdhi nga tradita e "Financial Times" në Londër dhe mediave në SHBA e Britani. /DW

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat