Çfarë ka shkruar miliarderi amerikan në Welt am Sonntag?
Pas postimesh në rrjetin e tij social X, ku Elon Musk deklaronte se vetëm AfD-ja mund ta shpëtonte Gjermaninë, ai e forcoi këtë qëndrim me një artikull në gazetën javore "Welt am Sonntag". Musk shkruan: "Alternativa për Gjermaninë mund ta shpëtojë Gjermaninë që të mos bëhet hije e së kaluarës së saj. Gjermania është rehatuar në mesatare – është koha për ndryshime të guximshme, dhe AfD-ja është e vetmja parti që mund ta hapë këtë rrugë."
Musk shkruan aty se AfD-ja është "shpresa e fundit për vendin", që sipas tij po kalon një krizë ekonomike dhe kulturore. Ai beson se vetëm AfD-ja mund ta ringjallë ekonominë gjermane dhe të shmangë humbjen e identitetit përmes një "politike të imigracionit të kontrolluar". Për ata që e cilësojnë AfD-në si ekstremiste, Musk thotë: "Mos u ndikoni nga etiketimet," duke përmendur se bashkëkryetarja e AfD-së, Alice Weidel, ka një partnere nga Sri Lanka.
Si kanë reaguar ndaj këtij komenti?
Me kritika të ashpra. Kryetari i Shoqatës Gjermane të Gazetarëve (DJV), Mika Beuster, paralajmëroi redaksitë që të mos instrumentalizohen gjatë fushatës zgjedhore dhe të jenë të kujdesshme me artikujt e ftuar. Kandidati për kancelar i CDU-së, Friedrich Merz, e cilësoi thirrjen si "teprim dhe arrogancë", duke shtuar: "Nuk mbaj mend të ketë pasur një rast të ngjashëm ndërhyrjeje në zgjedhjet e një vendi mik në historinë e demokracive perëndimore."
Sekretari i Përgjithshëm i SPD-së, Matthias Miersch, kritikoi botuesin e gazetës, "Grupi Axel Springer", që i dha një platforme të tillë Musk-ut. Ai tha se kjo është e turpshme dhe e rrezikshme dhe se dëshmon se sa shumë ka depërtuar rrjetet e djathta. Ndërkohë, lideri i SPD-së, Lars Klingbeil, e akuzoi Musk-un për përpjekje për destabilizimin e Gjermanisë, duke e krahasuar atë me Vladimir Putinin.
Kurse kandidatja për kancelare e AfD-së, Alice Weidel, ndau në X një pjesë të artikullit të Musk-ut, pa e komentuar më tej.
Çfarë strategjie po ndjek Elon Musk me këto deklarata?
Musk, si njeriu më i pasur në botë, duket se ka në mendje interesat e tij ekonomikë. Ai lavdëroi AfD-në për planet e saj për të reduktuar rregullat shtetërore dhe për të ulur taksat, gjë nga e cila do të përfitonte veçanërisht fabrika e Tesla-s në Brandenburg.
Por Musk ndjek edhe një agjendë globale politike, duke mbështetur forcat e djathta. Ai thuhet se i ka premtuar mbështetje financiare politikanit britanik Nigel Farage dhe ka marrëdhënie të ngushta me kryeministren italiane Giorgia Meloni.
Çfarë roli luan "Welt" dhe grupi Axel Springer?
Gazeta "Welt" u themelua në zonën britanike të Gjermanisë në vitin 1946 dhe, pas shtatë vitesh, u ble nga Axel Springer. Ky grup mediatik, aktiv në mbi 40 vende, është i njohur për ndikimin e tij në debatet politike të Gjermanisë, veçanërisht përmes gazetës "Bild".
Publikimi i artikullit të Musk-ut shkaktoi debate të ashpra në redaksinë konservatore. Drejtoresha e redaksisë së opnioneve, Eva Marie Kogel, dha dorëheqjen pas publikimit. Ka dyshime se për publikimin mund të ketë ndërhyrë shefi i Axel Springer, Mathias Döpfner, një admirues i Musk-ut.
A mundet shtypi të mbështesë publikisht një parti politike?
Po, në Gjermani kjo lejohet, por mbështetja publike nga media është e rrallë. Liria e shtypit dhe e mendimit janë të garantuara me Kushtetutë. Në vitin 2002, "Financial Times Deutschland" ishte gazeta e parë që bëri një rekomandim publik për një parti, duke thyer një tabu në mediat gjermane. Ky precedent erdhi nga tradita e "Financial Times" në Londër dhe mediave në SHBA e Britani. /DW