Sirenat ajrore ranë në gjithë Ukrainës mëngjesin e së martës për të paralajmëruar për bombardime ruse, derisa në disa pjesë të kryeqytetit Kiev u dëgjuan shpërthime.
Autoritetet lëshuan paralajmërime në rajonet Çernihiv, Sumi, Poltava, Luhansk, Dnipropetrovsk, Zaporizhja, Kiev, Çerkasi, Kriovohard dhe Vinitsia.
Kryetari i administratës ushtarake në Kiev, Serhiy Popko, njoftoi për rënien e copëzave të dronëve të rrëzuar në qarkun Darnitski në kryeqytet. Ai nuk tregoi nëse ka viktima.
Administrata ushtarake rajonale në Sumi raportoi se ushtria ruse kreu sulm raketor ndaj infrastrukturës në qytezën Shostka. Ajo tha se po heton nëse sulmi ka shkaktuar viktima apo dëme.
Këto sulme ndodhën vetëm një ditë pasi Shtetet e Bashkuara njoftuan se do ta mbështesin Ukrainën me ndihmë shtesë ushtarake për forcimin e mbrojtjes përgjatë vijës së frontit.
Shtëpia e Bardhë njoftoi të hënën se ndihma e re përfshin mbështetje ushtarake prej 1.25 miliard dollarësh nga rezervat amerikane dhe një paketë prej 1.22 miliard dollarësh nga Iniciativa për Ndihmë të Sigurisë për Ukrainën (USAI).
Disa orë më vonë, Departamenti i Thesarit njoftoi se Ukrainës do t’i ndahen edhe 3.4 miliardë dollarë si mbështetje e drejtpërdrejtë nga buxheti.
Shtëpia e Bardhë e ka rritur mbështetjen për vendin e rrënuar nga lufta para se mandati i presidentit Joe Biden të mbarojë muajin e ardhshëm.
Bideni është zotuar se do ta rrisë mbështetjen, por mbështetja e së hënës pritet të jetë e fundit gjatë administratës së tij për shkak të shqetësimeve se presidenti i zgjedhur, Donald Trump, do ta kufizojë skajshëm apo do ta ndalë plotësisht furnizimin me armë për Ukrainën, në mënyrë që ta shtyjë Kievin të futet në bisedime për paqe me Rusinë.
Trumpi do ta marrë detyrën më 20 janar.
Rusia është duke i zmbrapsur trupat ukrainase në vijat e frontit tash e disa javë dhe tha më 29 dhjetor se e pushtoi një tjetër qytet në rajonin e Donjeckut në Ukrainë.
Ajo është duke i vazhduar përpjekjet e kamotshme gjatë dhe të përgjakshme për ta marrë nën kontroll Pokrovskun e shkatërruar pothuajse, i cili është qendër strategjike e logjistikës në jug të vendit.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha më 30 dhjetor se forcat e saj e pushtuan Novotroitskin, një vendbanim me një popullsi para lufte prej 6.300 banorësh, rreth 16 kilometra në jug të Pokrovskut.
Ushtria ukrainase nuk komentoi në mënyrë specifike për Novotroitske, por tha se trupat ruse i kryen 133 sulme në pozicionet e saj, shumicën prej të cilave në zonën e Pokrovskut./REL