Finlanda heton prerjen e kabllove nënujore nga anija me naftë ruse

Evropë

Finlanda heton prerjen e kabllove nënujore nga anija me naftë ruse

Më: 31 dhjetor 2024 Në ora: 15:37
Roja Bregdetare finlandeze pranë anijes Eagle S në ujërat pranë Porkkalanniemit.

Autoritetet finlandeze mendojnë se sabotimi i kabllove të rëndësishme për energjinë dhe telekomunikacionin në Detin Balltik është shkaktuar nga spiranca e tërhequr në tabanin e detit për kilometra të tëra nga një anije që transporton naftë ruse. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Henry Ridgwell, ky është incidenti më i fundit i tillë gjatë muajve të fundit dhe NATO-ja paralajmëron për rrezikun në rritje të të ashtuquajturve sulme hibride.

Një anije që transporton naftë ruse është ndaluar pranë bregdetit të Finlandës, ndërsa autoritetet po hetojnë dëmin e shkaktuar ndaj kabllove të energjisë dhe internetit javën e kaluar në Detin Baltik.

Policia finlandeze tha të dielën se zbuloi gjurmën prej disa kilometrash në shtratin e detit, që duket se është shkaktuar nga një spirancë.

“Janë këputur katër kabllo. Arritëm ta mbajmë situatën nën kontroll, gjetëm anijen në fjalë, e sollëm në ujërat finlandeze dhe filluam procedurat hetimore”, tha Presidenti i Finlandës, Alexander Stubb.

Autoritetet finlandeze mendojnë se anija “Eagle S”, e regjistruar në Ishujt Cook, është pjesë e të ashtuquajturës “flotë në hije” të Rusisë, që përbëhet nga anije të vjetëruara që përdoren për të shmangur sanksionet perëndimore ndaj eksporteve të naftës, të vendosura pas sulmit frontal në Ukrainë në vitin 2022. Kremlini nuk i është përgjigjur drejtpërdrejt akuzave për sabotazh.

Dëmtimet e kabllit energjitik Estlink-2 dhe tre linjave të telekomunikacionit janë vetëm më të fundit në një seri incidentesh në Detin Balltik.

Në nëntor, një anije kineze dyshohet se këputi dy kabllo me fibra optike për transmetimin e të dhënave në ujërat suedeze.

Vitin e kaluar u dëmtua tubacioni Balticconnector, që lidh Estoninë me Finlandën. Dhjetë muaj më vonë, Kina tha se një anije e regjistruar në Hong Kong e pati shkaktuar dëmin gjatë një furtune, por Finlanda e priti me skepticizëm këtë deklaratë.

Estonia po bën thirrje që të përditësohet legjislacioni për transportin detar.

“Nuk mund të jenë aksidente. Këto lloj situatash nuk janë tipike, jo vetëm për rajonin tonë, por as për rajone të tjera në botë. Pra, me arritjet në teknologji, mendoj se është një ide e mirë që t’i rishikojmë ligjet ndërkombëtare për t’i lehtësuar këto hetime”, thotë Liisa Pakosta, ministre e Drejtësisë e Estonisë.

NATO-ja tha të premten se do të rrisë praninë në Detin Baltik. Aleanca bëri rishtazi manovra detare në rajon. Por reagimi ndaj sulmeve hibride, si prerja e kabllove nënujore, është kompleks, thotë analisti Charly Salonius-Pasternak.

“Nëse fajësojmë dikë, a do të shtrëngojmë masat? Çfarë do të bëjmë për këtë? Pasi është e qartë se nuk mundemi të përdorim të njëjtat mjete në kundërpërgjigje ndaj Rusisë dhe Kinës. Të paktën jo në këtë pikë”, thotë analisti.

Autoritetet thonë se puna për të riparuar dëmin ndaj kabllit Estlink 2 mund të zgjasë deri në muajin gusht./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat