Ish-kryetari i Bashkisë së Romës, Gianni Alemanno është arrestuar mbrëmjen e 31 dhjetorit 2024 për shkelje të vendimit të dhënë nga Gjykata. Aktualisht, ai ndodhet në burgun Rebibbia.
Alemanno, i cili ka mbajtur dhe postin e ministrit të Politikave Bujqësore dhe Pyjore në Itali (2001 - 2006) ishte dënuar me një vit e dhjetë muaj burg në kuadër të hetimeve "Mondo di Mezzo".
Dënimi i ishte konvertuar në punë të detyruar në shërbim të komunitetit, por gjykatësit thanë se nuk ka respektuar vendimin.
Sipas autoriteteve, ai nuk i është përmbajtur programit të përcaktuar, duke pretenduar angazhime që më pas rezultuan të rreme.
Ish-ministri, që kohët e fundit kishte themeluar lëvizjen “Indipendenza”, u shpall fajtor për ndikim të paligjshëm, në një çështje që përfshinte pagesa të kompanisë komunale Eur Spa në favor të Salvatore Buzzi dhe Massimo Carminati, një ish-aktivist i ekstremit të djathtë i dënuar më parë si pjesëtar i një grupi kriminal të kryeqytetit në vitet ’80.
Gjykata e Mbikëqyrjes në Romë kishte pranuar kërkesën e mbrojtjes që Alemanno të kryente shërbime sociale në qendrën "So.Spe.–Solidariteti dhe Shpresa" të murgeshës Paola D’Auria, e cila ndihmon vajza nëna e familje në vështirësi dhe viktima të dhunës për t’u integruar në shoqëri.
Alemanno akuzohet se ka shkelur rregullat, përfshirë ndalimin për të dalë nga shtëpia para orës 7 të mëngjesit, detyrimin për të hyrë në shtëpi në orën 21:00 dhe ndalimin për tu shoqëruar me persona me precedentë penalë. Këto shkelje çuan në arrestimin e tij më 31 dhjetor 2024.