Të paktën katër persona janë vrarë në një bar në Bajicë në paralagjet e Cetnijes së Malit të Zi në pasditen e 1 janarit, ka konfirmuar policia.
Disa media lokale po raportojnë se numri i të vrarëve ka shkuar në shtatë.
Tre burra dhe një grua janë dërguar në Qendrën Klinike të Podgoricës, dhe jeta e tyre është në rrezik për jetë, ka thënë drejtori i spitalit, Aleksandar Radoviq.
Kryeministri malazez, Millojko Spajiq është parë jashtë spitalit, dhe e ka përshkruar rastin si tragjedi të tmerrshme, dhe që të gjitha forcat policore janë angazhuar në kërkim të vrasësit.
Autoritetet nuk kanë dhënë hollësi për motivet e mundshme të vrasjeve.
Kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq me drejtorin e Qendrës Mjekësore në Podgoricë, Aleksandar Radoviq.
Policia është në kërkim të Aco Martinoviqit, i cili është i dyshuar për vrasje dhe plagosje në Cetinje.
Sipas deklaratës së Policisë, në mesin e të vrarëve janë disa anëtarë të familjes së Martinoviqit, i cili është larguar nga lokali i armatosur.
Policia u ka bërë thirrje banorëve të Cetinjes që të qëndrojnë në ambiente të brendshme.
Qyteza e Cetinjes është rreth 30 kilometra larg Podgoricës.
Qeveria e Malit të Zi i ka shpallur tri ditë zie, më 2,3 dhe 4 janar, për shkak të këtij rasti.
Koncertet për shënim të Vitit të Ri janë anuluar në Podgoricë, Budvë dhe Kotor, ndërsa kryeministri Spajiq u ka bërë thirrje edhe komunave tjera që t’i anulojnë organizimet e jashtme.