Ministria e Jashtme italiane e thirri të enjten ambasadorin iranian për t’i kërkuar lirimin e menjëhershëm të gazetares Cecilia Sala, e cila u arrestua në Teheran më 19 dhjetor, ndërkohë që po punonte me vizën e rregullt për gazetarët.
Përmes një deklarate ministria shpreh “shqetësimin serioz” mbi ndalimin e gazetares Sala dhe thekson domosdoshmërinë e trajtimit njerëzor dhe respektimit të të drejtave të saj.
Mediat italiane njoftojnë se gazetarja Sala po mbahet e izoluar në një qeli të ftohtë burgu me një dritë fluroshente që mbahet e ndezur ditën dhe natën. Syzet e saj janë sekuestruar dhe ajo pothuajse nuk ka asnjë kontakt me njerëz të tjerë.
Sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme italiane, Riccardo Guariglia, kërkoi që personeli i ambasadës në Teheran të lejohet ta vizitojë gazetaren Sala dhe t’i japë asaj “sendet të cilat i janë mohuar deri tani”, sipas ministrisë.
Agjencia zyrtare e lajmeve e Iranit IRNA njoftoi të hënën se Sala u arrestua për shkak se “shkeli ligjet e Republikës Islamike”. Agjencia nuk dha detaje të tjera.
Gazetarja Sala u ndalua tri ditë pasi sipërmarrësi iranian, Mohammad Abedini u arrestua në aeroportin Malpensa të Milanos në bazë të një urdhër-arresti amerikan nën pretendimet se ai është furnizuesi i pjesëve të dronëve, të cilët Uashingtoni thotë se janë përdorur në sulmin e vitit 2023, që shkaktoi vdekjen e tre ushtarëve amerikanë në Jordani.
Irani ka mohuar përfshirjen në atë sulm dhe ministria e jashtme iraniane u citua nga mediat iraniane të ketë thënë se arrestimi i sipërmarrësit Abedini shkel ligjin ndërkombëtar.
Gjatë viteve të fundit, forcat e sigurisë së Iranit kanë arrestuar dhjetëra të huaj dhe individë me shtetësi të dyfishtë, kryesisht nën akuzat për spiunazh. Organizatat për të drejtat e njeriut e akuzojnë Iranin se po përpiqet të sigurojë lëshime nga shtete të tjera përmes arrestimeve të tilla. Irani e mohon këtë pretendim.
Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni pritet të diskutojë për çështjen e gazetares Sala me ministrat e jashtëm dhe të drejtësisë të enjten, sipas njoftimit të zyres së saj./VOA