Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq në intervistën e tij të fundvitit në “TV Prva”, në emisionin “Lajmet”, ka njoftuar opinionin për ekzistimin e një formacioni “Lojalistët”, që sipas tij numëron 17 mijë anëtarë dhe që janë besnik ndaj pushtetit atje.
Duke u mbështet ne këtë deklarate të Vuçiqit, një grup i qytetareve serbë nisën një peticion për çarmatimin e besnikëve të Partisë Përparimtare Serbe, e cila sipas Vuçiqit ka 17 mijë anëtarë, por që sipas kërkimeve të qytetarëve ajo nuk është e regjistruar fare si shoqatë në agjencinë për regjistrim.
Sipas Danas, peticioni u nis me 01.01.2025 dhe deri me tani numëron 3359 nënshkrime.
“Më 31 dhjetor 2024, shtetasi Aleksandar Vuçiq, aktualisht në pozitën e Presidentit të Serbisë, në emisionin “Vesti” në TV Prva me fillim nga ora 18:00 ka njoftuar opinionin për ekzistencën e formacionit paraushtarak “Lojalistët”. Duke kërkuar në APR, konstatohet lehtë se nuk është e regjistruar si shoqatë”, thuhet në kërkesën e firmosur nga prindërit dhe qytetarët e shqetësuar.
Aty shtohet se, sipas Aleksandar Vuçiqit, formacioni ka mbi 17 mijë anëtarë dhe ai vetë ka identifikuar disa anëtarë: vëllai i tij Andrej Vuçiq, Dragan Vuçiqeviq, dhe sipas dëshmisë së tij, është anëtar tjetër i familjes Vuçiq.
“Sipas fjalëve të shtetasit Aleksandar Vuçiq, formacioni paraushtarak i lartpërmendur është i gatshëm të luftojë kundër të gjithë atyre që janë në anën tjetër politike në krahasim me Partinë Përparimtare Serbe, dhe këtë gatishmëri anëtarët e konfirmuan me betim gjaku. Duke qenë se publiku u informua për ekzistencën e një formacioni paraushtarak në një program televiziv me mbulim kombëtar, meqenëse formimi i një formacioni kaq të madh paraushtarak nuk mundi të kalonte vëmendjen e strukturave të sigurisë, duke qenë se ekzistenca e një formacioni kaq të madh paraushtarak paraqet një kërcënim për rendin kushtetues dhe institucionet demokratike në Serbi, presim që organet kompetente të marrin një deklaratë zyrtare nga shtetasi Aleksandar Vuçiq për informacionet për të cilat foli, se strukturat përkatëse policore identifikojnë dhe çarmatosin formacionin paraushtarak në fjalë, si dhe të jetë publik informuar për identitetin e pjesëtarëve të atij formacioni paraushtarak, si dhe për strukturën dhe synimet e tyre”, përfundon deklarata.