Kreu i rajonit separatist Transnistria në Moldavi Vadim Krasnoselski u ka kërkuar banorëve të djegin dru për ngrohje dhe paralajmëroi se ndërprerjet e energjisë elektrike janë të pashmangshme pasi Ukraina ndaloi transitin e gazit rus në Evropë.
Krasnoselski ka inkurajuar banorët e zonave rurale që të gjejnë dhe djegin dru aty ku është e mundur, teka ka bërë të ditur në Telegram se 1500 ndërtesa shumëkatëshe nuk kanë ngrohje dhe ujë të nxehtë, dhe se pothuajse 72.000 familje private nuk kanë gaz.
Rajoni përballet me krizë energjetike që nga Viti i Ri, kur Ukraina ndaloi transitin e gazit rus në Evropë pas skadimit të marrëveshjes me Moskën.
Temperaturat në kryeqytetin e Transnistrisë, Tiraspol, parashikohen të jenë pak mbi zero gjatë fundjavës, pasi një valë e ftohtë përfshin pjesën më të madhe të kontinentit.
Para skadimit të marrëveshjes, Rusia furnizonte Moldavinë me rreth 2 miliardë metra kub gaz në vit, i cili pompohej përmes Transnistrisë. Ukraina tani humb rreth 800 milionë dollarë në vit nga tarifat e transitit nga Rusia, ndërsa Gazprom do të humbë pothuajse 5 miliardë dollarë.
Kryeministri sllovak Robert Fico, ndërkohë, sugjeroi se ai mund të pezullojë furnizimet me energji elektrike në Ukrainë dhe të zvogëlojë ndihmën për refugjatët ukrainas si hakmarrje për përfundimin e marrëveshjes së gazit, të cilën ai e përshkroi si "sabotim" nga presidenti Volodomyr Zelensky.
Kujtojmë, Transnistria, një territor pro-rus në kufirin me Ukrainën, u shkëput nga pjesa tjetër e Moldavisë pas rënies së Bashkimit Sovjetik në vitin 1991. Derisa u ndërpre furnizimi, ata merrnin gazin rus nëpërmjet Ukrainës.