Tragjedia në Cetinje, përkujtohen viktimat e të shtënave masive

Evropë

Tragjedia në Cetinje, përkujtohen viktimat e të shtënave masive

Më: 5 janar 2025 Në ora: 12:18
Foto nga vendi i ngjarjes

Në Mal të Zi është mbajtur një ceremoni përkujtimore për 12 viktimat e të shtënave masive që ndodhën ditën e Vitit të Ri.

Bëhet e ditur se ceremonia në qytetin qendror të Cetinjes u ndoq nga familjarët e viktimave si dhe liderë politikë dhe kishtarë.

“Çdo fjalë që themi sot duket e dobët, e pafuqishme për të zbutur vuajtjet e atyre që humbën të dashurit e tyre”, tha Nikola Gjuraskoviq, kryetari i komunës së Cetinjes.

“Nuk ka fjalë për të shpjeguar këtë tragjedi. Në këtë moment, e vetmja gjë që mund të bëjmë është t’u shprehim ngushëllimet tona më të thella familjeve të të vrarëve, t’u shtrijmë dorën në mbështetje dhe t’i bindim se nuk janë vetëm. Kjo është një humbje për të gjithë ne”, shtoi ai.

Policia tha se personi i armatosur, i identifikuar si Aco Martinoviq, përfundimisht qëlloi veten në kokë dhe vdiq.

Ndërsa të paktën katër të tjerë u plagosën.

Ndryshe, në një masakër të veçantë në të njëjtin qytet në gusht 2022, një sulmues vrau 10 persona, përfshirë dy fëmijë, përpara se të qëllohej dhe të vritej nga një kalimtar.

Një takim i nivelit të lartë në Podgoricë të premten premtoi masa të ashpra për të konfiskuar armët ilegale pas tragjedisë së dytë të tillë në më pak se tre vjet në vendin e vogël ballkanik.

Kryeministri Milojko Spajiq tha se mbajtësit e armëve të regjistruara do t’i nënshtrohen kontrolleve të reja të sigurisë dhe psikologjisë, ndërsa është planifikuar dënim për ata që mbajnë armë ilegalisht.

Spajiq saktësoi se autoritetet do t’u japin njerëzve një periudhë prej dy muajsh për të dorëzuar armët ilegale pa u përballur me asnjë pasojë.

Pas kësaj, tha ai, “ligji do të jetë i qartë dhe dënimet minimale të dhëna nga gjyqtarët do të jenë drastike”.

Televizioni shtetëror RTCG njoftoi se Mali i Zi është i gjashti në botë për sa i përket numrit të armëve të paligjshme për frymë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat