Kancelari austriak do të japë dorëheqje pasi dështoi të formojë qeveri të re

Evropë

Kancelari austriak do të japë dorëheqje pasi dështoi të formojë qeveri të re

Më: 5 janar 2025 Në ora: 12:24
Kancelari i Austrisë, Karl Nehammer.

Kancelari i Austrisë, Karl Nehammer, ka thënë se do të japë dorëheqje në ditët në vijim si kancelar dhe si lider i partisë, pas dështimit të bisedimeve për të formuar një koalicion qeveritar.

Kancelari ka thënë se partia e tij, Partia Popullore konservative – dhe Social Demokratët, nuk janë pajtuar për çështjet kryesore.

Neoliberalët, një tjetër parti e përfshirë në bisedime, është tërhequr po ashtu të premten.

Në shtator, Partia e Lirisë – e së djathtës ekstreme – ka shënuar fitore të pashembullt në zgjedhjet e përgjithshme të Austrisë, mirëpo partitë tjera patën thënë se nuk formojnë koalicion me liderin e këtij subjekti politik, Herbert Kickl.

Kolapsimi i bisedimeve mund të rezultojë me nisjen e bisedimeve të konservatorëve me të djathtën ekstreme, apo edhe me organizim të zgjedhjeve të reja, vlerësojnë analistë.

Partia e Lirisë – miqësore me Rusinë – ka qenë më parë në pushtet. Ajo duket se do t'i mirëpriste zgjedhjet e reja, pasi sondazhet e opinionit publik sugjerojnë për rritjen e mëtejme të saj edhe pas shtatorit.

Kjo parti e ka kritikuar presidentin e shtetit, Alexander Van der Bellen për “kaosin e krijuar dhe kohën e humbur”.

Dalja në zgjedhjet e shtatorit ka qenë 77.3 për qind, ndërsa temat kryesore kanë qenë ato të migrimit, azilit dhe ekonomisë në kohën e luftës së Rusisë në Ukrainë.

Kickl pati premtuar se do të rikthente sigurinë për austriakët.

Partia që udhëheq ai është e ashpër për çështjet e migrimit dhe e promovon idenë e rimigrimit, që përfshin dërgimin e azilkërkuesve në shtetet e origjinës.

Partia e Lirisë është themeluar nga ish-nazistët në vitet ’50.

Dy ditë para zgjedhjeve të shtatorit, disa kandidatë janë zënë duke kënduar në një funeral këngë të nazistëve, ndonëse partia më vonë ka mohuar gjithçka./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat